Ekspertët e OKB-së akuzojnë Izraelin për “shfarosje” në sulmet ndaj shkollave dhe vendeve fetare në Gaza

Botë | 1 vit më parë

Një komision i pavarur i Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se sulmet izraelite ndaj shkollave dhe vendeve fetare dhe kulturore në Gaza përbëjnë krime lufte dhe krim kundër njerëzimit për përpjekjen për të shfarosur palestinezët.

“Izraeli ka zhdukur sistemin arsimor të Gazës dhe ka shkatërruar mbi gjysmën e të gjitha vendeve fetare dhe kulturore në Rripin e Gazës”, shkruan në një raport Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez.

Komisioni akuzon forcat izraelite për krime lufte, duke përfshirë sulmet kundër civilëve dhe vrasjen me dashje, në sulmet e tyre ndaj objekteve arsimore që shkaktuan viktima civile.

“Duke vrarë civilë që strehoheshin në shkolla dhe vende fetare, forcat izraelite të sigurisë kryen krimin kundër njerëzimit të shfarosjes”, theksohet raporti.

“Ndërsa shkatërrimi i pronës kulturore, duke përfshirë objektet arsimore, nuk ishte në vetvete një akt gjenocidal, provat e një sjelljeje të tillë mund të nënkuptojnë megjithatë qëllimin gjenocidal për të shkatërruar një grup të mbrojtur”, shpjegohet në raport.

Komisioni i kërkoi qeverisë izraelite të ndalojë sulmet ndaj institucioneve kulturore, fetare dhe arsimore.

Ai i bëri thirrje Izraelit që “t’i japë fund menjëherë pushtimit të paligjshëm të territorit palestinez”, të ndërpresë të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve dhe të përmbushë plotësisht masat e përkohshme të urdhëruara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në janar 2024, gjykata më e lartë e botës urdhëroi Izraelin të merrte të gjitha masat “për të parandaluar dhe ndëshkuar nxitjen e drejtpërdrejtë dhe publike për të kryer gjenocid kundër njerëzve në Gaza” dhe për të lejuar shërbimet bazë dhe ndihmën humanitare të nevojshme urgjentisht atje.

Raporti i së martës i kushtoi vëmendje të veçantë Gazës, por u përqendrua edhe në sulmet izraelite ndaj civilëve në territoret e pushtuara palestineze në tërësi, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe në Izrael.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme