7 profesione nga Shqipëria që të punësojnë në Europë, ekspertiza gjermane i zbulon për emisionin “Kuota”

Ekonomi | 1 vit më parë

7 profesionet e para me të cilat qytetarët shqiptarë punësohen lirisht në vendet e BE-së, pa pasur nevojë për ritrajnime apo njohje të reja të diplomave, po negociohen.

Drejtuesja e projektit të ekspertizës gjermane pranë qeverisë shqiptare për Grupkapitullin 2, Blerina Raça, tha për RTSH në emisionin “Kuota” se rregullimi ligjor siguron që profesionistët e këtyre fushave të punojnë me të njëjtat të drejta si homologët e tyre europianë.

“Shqipëria është duke bërë përparime për sa i përket përafrimit të legjislacionit. Janë shtatë profesione të rëndësishme: mjekët, infermierët, dentistët, farmacistët, mamitë (specialistet e lindjes), arkitektët dhe veterinerët. Në momentin që ne do të bëhemi vend anëtar, diplomat e këtyre shtat profesioneve do të njihen automatikisht,” tregoi znj. Raça.

Ndërsa bisedimet për këto profesione janë pjesë e “Kapitullit 3 – Lëvizja e lirë e shërbimeve”, i gjithë grupkapitulli është sfidë për të përgatitur Shqipërinë që të hyjë në tregun europian.

“Tregu europian numëron rreth 465 milionë konsumatorë, 32 milionë kompani… Bashkimi Europian mban vendin e parë në botë për sa i përket tregtisë në shërbime,” tha drejtuesja e projektit të ekspertizës gjermane.

Integrimi europian është një proces konkret, personal dhe ekonomik. Njohja e ndërsjellë e profesioneve me Bashkimin Europian është një prej këtyre konkretizimeve.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme