Elbasani i shkakton Egnatias humbjen e parë në kampionat

Elbasani ka thyer për herë të parë Egnatian, duke e mundur 2-1 pas një pjese të parë fantastike, në të cilën u shënuan të tre golat. Kampionët i lënë vendin e parë Teutës, ndërsa verdheblutë dalin nga kriza me suksesin e parë të sezonit.
Elbasani arriti fitoren e parë në kampionat e njëherazi i shkaktoi të parën humbje Egnatias, falë një pjese të parë të shkëlqyer, që u mbyll me rezultatin përfundimtar të takimit, 2-1.
Verdheblutë shfaqën agresivitet e më tepër dëshirë që në fillimin e takimit, duke rrezikuar portën e Dajsinanit. Egnatia nuk qëndron në pozita pritëse, megjithatë i mungon rrjedhshmëria e zakonshme dhe vendasit i thyejnë sulmet pa shumë probleme dhe dalin në kundërsulme të shprejta e me një takim.
Në minutën e 26-të ishte rasti më i mirë i verdhebluve, kur Mazari nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë, ndërkohë që pranë tij ishte Diallo i lirë. Ekuilibri prishet në minutën e 41-të, kur Nikaj shënon me një diagonale nga vija e zonës, që mposht Dajsinanin.
Por gëzimi i vendasve zgjati vetëm tre minuta, pasi Montenegro barazon me një gjuajtje të fortë me kokë pas krosimit nga Lukili. Një gol disi në kundërshtim me rrjedhën e lojës, e megjithatë Elbasani nuk priti të shkonte në pushim me këtë rezultat, pasi Nikaj goditi edhe një herë, me një diagonale brenda zonës, kur ndoshta pritej pasim te Mazari.
Pjesa e dytë shfaqi një tjetër fytyrë, pasi Egnatia kërkoi barazimin, ndërsa vendasit iu futën një pune të vështirë për të frenuar vrullin e kampionëve. Në minutën e 53-të Elbasani kërkon penallti për faull kundër Diallo në zonë, po arbitri nuk është dakord.
E njëjta kërkesë, këtë herë për prekje me dorë nga Sota, në minutën e 59-t-, sërish pa sukses. Në 20 minutat e fundit, rrogozhinasit sulmuan me të gjitha forcat dhe rastet nuk iu munguan, por portieri Alekskovski është i pakalueshëm.
Pas aksioneve të shpejta nga të dyja skuadrat, në fund buzëqesh ajo e Ivan Gvozdenoviçit, që më në fund shijon fitoren, ndërsa kampionët zbresin në tokë, pas një periudhe fantastike brenda e jashtë vendit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




