Elektricistë të proceduar për kanabis, OSHEE Shkodër: U shpallën të pafajshëm, policia më e kujdesshme
Kontrollet anti-kanabis përgjatë muajve të fundit nuk kanë kursyer as punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Në njoftimet e Policisë Vendore Shkodër, përgjatë këtij viti janë 4 raste ku pjesë e procedimeve kanë qenë edhe punonjësit e OSHEE.
Për drejtorin e OSHEE rajoni verior kjo lidhet vetëm me procedurën që policia vendore ka, por jo me përfshirjen e punonjësve në veprimtari të tilla.
“Policia e Shtetit ka një procedurë të vetën që sapo konstaton diku shtëpi me kanabis shoqëron gjithë palët, këtu edhe punonjësit e OSHEE, të cilët janë të detyruar ligjërisht të japin shpjegimet e tyre, por nuk janë as të arrestuar dhe as të penalizuar”, u shpreh drejtori Armando Zhuka.
Punonjësit kanë zbatuar procedurat e Policisë Vendore Shkodër, ndërsa më pas kanë marrë pafajësinë nga gjykata.
“Deri më sot nuk kam asnjë informacion që ndonjë nga punonjësit e OSHEE të jetë i dënuar për rastin e kultivimit të bimëve narkotike në bashkëpunim me shtetasit të cilët janë shoqëruar apo janë dënuar në bazë të ligjit.”
Një ditë më parë edhe përgjegjësi teknik Gjon Bala, gjatë mbledhjes së prefekturës, kërkoi më shumë verifikim nga uniformat blu, pasi ndalime të tilla kanë krijuar vështirësi në punën e OSHEE duke sjellë mungesa të inspektorëve në terren.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




