Eliminatore me probleme për polakët, trajneri Urban vlerëson kuqezinjtë: Ekip teknik

Botërori 2026 | 12 muaj më parë

Polonia, kundërshtari i Shqipërisë në gjysmëfinale të play-off-it të Botërorit 2026, zhvilloi një fazë eliminatore me oshilacione në Grupin G, ku zuri vendin e 2-të, pas Holandës.

Polakët patën probleme të brendshme në fillim të këtyre kualifikueseve. Ylli i skuadrës, Robert Levandovski, pati një përplasje të fortë me trajnerin Mihal Probierz. Sulmuesi i Barcelonës, pasi iu hoq shiriti i kapitenit, deklaroi tërheqjen nga kombëtarja, por humbja me Finlandën e ndryshoi situatën, sepse trajneri Probierz dha dorëheqjen. Me trajnerin e ri, Jan Urban, Levandovski u kthye dhe ecuria e Polonisë ishte më e mirë, por gjithsesi nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i dytë.

Avantazhi i polakëve është që në mars luajnë në fushën e tyre kundër kuqezinjve. Ata mbështeten te disa lojtarë me eksperiencë, si Robert Levandovski dhe Piotr Zielinski.  

Trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka vlerësuar Shqipërinë, duke thënë pas shortit se skuadra jonë luan një futboll teknik: “Nuk e kam ndjekur nga afër Shqipërinë, kjo është normale, por nëse dikush do të më pyeste se si e imagjinoj këtë ekip, do të mendoja menjëherë për një ekip që luan futboll teknik dhe të kombinuar.

Ata kanë një trajner si Sylvinho, një brazilian, kështu që mendoj se luajnë atë lloj futbolli. Ata kanë shumë lojtarë nga liga italiane, që do të thotë se janë shumë të përparuar teknikisht”, u shpreh trajneri Urban.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme