Emigrantët nga Meksika, Biden nënshkruan urdhrin ekzekutiv për kufizime të reja

Botë | 2 vite më parë

Emigrantëve që kapen duke kaluar ilegalisht kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, mund t’iu pamundësohet shansi për të kërkuar azil, dhe kështu do të dëbohen shpejt në Meksikë, bazuar në kufizimet e reja që janë bërë publike prej administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

“Kam ardhur këtu për të bërë atë çfarë republikanët në Kongres kanë refuzuar të bëjnë, të marrim hapat e nevojshëm për të siguruar kufirin tone. Le të zgjidhim problemin dhe të mos luftojmë për këtë gjë”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti e nxori urdhrin ekzekutiv bazuar në nenin që njihet si ‘212 pika f’ e ligjit të miratuar para 72 vitesh mbi Imigracionin dhe Shtetësinë, i cili i jep presidentit kompetenca të gjera për të bllokuar hyrjen në vend të imigrantëve, pavarësisht nga lloji i vizave, kur një gjë e tillë besohet se “mbron interesat e Shteteve të Bashkuara”.

Masat e reja do të hyjnë në fuqi menjëherë, mirëpo ato nuk do të vlejnë për fëmijët e pashoqëruar, personat që kanë probleme të mëdha shëndetësore, apo për viktimat e trafikimit, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës amerikane. Megjithatë, kufizimet e reja pritet të sfidohen nëpër gjykata prej grupeve për të drejta të imigrantëve, të cilat e kanë kritikuar Bidenin se ka miratuar politika të llojit të Trumpit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme