“Epoka e mungesave ka marrë fund”, Rama: Kemi hyrë në epokën e pritshmërive, qytetarët tashmë thonë “ka edhe më mirë”

Politikë | 3 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama u ndalu te ndryshimi i marrëdhënies mes qytetarëve dhe institucioneve. Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga “epoka e mungesave” në “epokën e pritshmërive”, ku qytetarët kërkojnë standarde më të larta dhe nuk pranojnë më justifikimet e së shkuarës.

Rama tha se në të kaluarën shoqëria e pranonte më lehtë çdo përmirësim, ndërsa sot, sipas tij, qytetarët e konsiderojnë zhvillimin si standard dhe jo si arritje të jashtëzakonshme.

“Në epokën e mungesave shoqëritë vuajnë nga rrënimi dhe i gëzohen çdo ndryshimi. Toleranca e tyre ndaj asaj epoke është shumë e madhe, sepse gjithmonë thuhet: ‘ka edhe më keq’. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive, ku rruga e re është standard dhe jo fitore, shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë dhe jo arsye për të festuar. Asnjë mungesë shërbimi nuk durohet më si deri në mbylljen e epokës së mëparshme”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët nuk e matin më progresin me të kaluarën, por me standardet që presin të arrijnë.

“Shoqëria sot nuk funksionon më me mendimin ‘ka edhe më keq’. Toleranca e saj ndaj asaj që nuk shkon vjen duke u zbehur, sepse kjo është epoka e ‘ka edhe më mirë’. Ky është ndryshimi që duhet të kuptojmë dhe mbi të cilin duhet të ndërtojmë mënyrën tonë të qeverisjes”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme