Euroliga në RTSH, Panathinaikos befason Realin

Veprimtaria më prestigjioze e koshit kontinental të meshkujve, Euroliga, është rikthyer të enjten në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, teksa transmetuesi publik ka sjellë drejtpërdrejt në kanalin RTSH sport sfidën më të spikatur të mbrëmjes, atë midis Realit të Madridit dhe Panathinaikosit.
Kjo sfidë, e luajtur në kryeqytetin spanjoll, vuri përballë iberikët, që vazhdojnë të kryesojnë renditjen, me helenët, që mbajnë vendin e 3-të dhe dhuroi përmbysje të pabesueshme në çdo 10-minutësh loje. Kështu, ai i pari ka folur për Realin, që e ka fituar atë me shifrat 24-18, por ai i dyti ka patur një tablo diametralisht të kundërt, pasi madrilenët gabojnë në çdo aspekt të lojës dhe shënojnë vetëm 12 pikë, përkundër 27 pikëve të miqve, që shkojnë kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 9 pikë epërsi, me shifrat 45-36.
Sikundër edhe pritej, Reali i Madridit ka dalë një tjetër skuadër nga dhomat e zhveshjeve, duke e fituar 10-minutëshin e 3-të 25-22, por janë grekët që kryesojnë pas një gjysmë ore lojë, 67-61. Por përtej një nisjeje të mirë të 10-minutëshit të 4-t dhe të fundit nga ana e madrilenëve, Panathinaikosi e ruan qetësinë dhe e fiton këtë fraksion loje, 30-25 dhe gjithë ndeshjen 97-86. Të premten vjen në RTSH Sport një tjetër sfidë, Barcelona-Monako, që nis në ora 20:30.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




