Euronews: Rënia e avionit në Kazakistan, shkak një raketë ruse

Një raketë tokë-ajër ruse dyshohet se është arsyeja që ka shkaktuar rënien e avionit 8432 i Azerbajxhanit Airlines, ku humbën jetën 38 persona dhe 29 të tjerë arritën të mbijetonin. Euronews citon burime qeveritare të Azerbajxhanit se rrëzimi i avionit u shkaktua nga një raketë ruse e lëshuar gjatë një aktiviteti ajror me dron mbi Grozny.
Raketa ka shpërthyer afër avionit ku copëzat e saj kanë goditur mjetin fluturues duke shkaktuar avari dhe dëmtuar pasagjerët dhe ekuipazhin në bord. Kjo ka bërë që avioni të bënte ulje emergjente pranë qytetit të Aktau në Kazakistan.
Përveç kësaj, burimet nga qeveria e Azerbajxhanit thanë se, megjithëse pilotët kërkuan një ulje emergjente, avioni i dëmtuar nuk u lejua të ulej në asnjë aeroport rus. Në vend të kësaj, ai u urdhërua të fluturonte mbi Detin Kaspik drejt Aktau, ku përfundoi rrëzimi. Gjithashtu, sistemet e navigimit GPS të avionit u bllokuan gjatë fluturimit mbi det.
Ky incident ka shkaktuar një valë shqetësimi dhe tronditje ndërkombëtare, duke theksuar rrezikun që përbëjnë operacionet ajrore në zonat e tensionuara, ndërsa ende është nën hetim shkaku i plotë i tragjedisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




