Falja e gjobave, institucionet kanë 30 ditë afat për të përpiluar listat e përfituesve

Aktualitet | 1 vit më parë

Të gjitha gjobat që kanë marrë qytetarët dhe bizneset, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, si dhe Policia e Shtetit e Policia Bashkiake, do të fshihen nga sistemi.

Vendimi i qeverisë është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe institucionet kanë tashmë detyrimin që të hartojnë listat me emrat e përfituesve dhe të fshijnë detyrimet brenda 2 muajsh.

Sipas vendimit do të falen gjoba që janë vënë për ndërtime pa leje, parkime të gabuara, tejkalim shpejtësie, për mosrespektim të masave anti-COVID apo ndëshkime që lidhen me prodhimin bujqësor dhe blegtoral.

Afati për faljen e gjobave për raste specifike për ndërtime pa leje është deri në 80 ditë.

Përfitues të vendimit të qeverisë janë të gjithë ata qytetarë apo biznese ndaj të cilëve ishte vënë një gjobë, por që ende nuk ishte paguar nga debitorët. Por pas këtij vendimi, ata çlirohen nga penalitetet pasi fshihet çdo gjë e 10 viteve të fundit.

Nëse një individ apo subjekt konstaton se masa ndaj tij nuk është fshirë, mund të paraqesë kërkesë pranë institucioneve për heqjen dhe fshirjen e masës.

Pas verifikimit, nëse plotësohen kushtet ligjore, kryhet fshirja, përndryshe subjekti njoftohet brenda 5 ditëve për refuzimin dhe ka të drejtë ankimi në gjykatë.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme