Faza e katërt, fatale për Laçin

Faza e katër dënoi me rënie në Kategorinë e Parë Laçin dhe Skënderbeun. Bardhezinjtë grumbulluan vetëm gjashtë pikë, ndërsa korçarët ecën me hapa më të mëdhenj se tri të parat në renditje. Megjithatë, nuk u mjaftoi për mbijetesë, pasi të rrezikuarit e tjerë rendën me hapa gjigantë.
Faza e katërt e Abissnet Superiore ka qenë fatale për Laçin, që grumbulloi vetëm gjashtë pikë nga 27 të mundshme në nëntë ndeshje, çka i kushtoi edhe rënien direkt në Kategorinë e Parë. Bardhezinjtë, që e mbyllën në vendin e gjashtë fazën e tretë, me 31 pikë, në përfundim të kampionatit morën vetëm 37, ndërkohë vetëm me ndeshjet e fazës së tretë ishin skuadra e katërt më e mirë, duke pasur para tyre vetëm tre pretendentët e titullit: Egnatia, Dinamo e Vllaznia.
Rënie pothuajse në pikiatë e skuadrës së Francesco Morieros, e cila, para fazës së katërt dukej se do të mbijetonte, madje pa e pasur shumë problem. Por, ashtu si lufta për katërshen, edhe lufta për mbijetesën pati të papritura dhe mbeti e hapur deri në ndeshjen e fundit. E vetmja konstante ishte Skënderbeu, që e mbylli në vendin e parafundit kampionatin, pasi kishte qenë i fundit në përfundim të fazës së tretë.
Duke shqyrtuar fazat e fundit, korçarët kanë qenë në vendin e gjashtë në secilën prej tyre, me 11 pikë të fituara në fazën e tretë dhe 12 në të katërtën. Por në renditjen e fazës së katërt, midis Skënderbeut e Laçit nuk gjendet asnjë nga skuadrat që luftuan për mbijetesë, por Vllaznia, Egnatia e Dinamo.
Gjithë skuadrat e tjera të mbijetesës në fazën e katër grumbulluan më tepër pikë se Skënderbeu, duke e lënë këtë bashkë me Laçin në fundin e renditjes së përgjithshme të kampionatit. Kapërcimin më të madh e ka bërë Teuta, me 16 pikë të fituara në fazën e katërt, po aq sa Elbasani, ndërkohë që në fazën e tretë durrsakët grumbulluan vetëm gjashtë pikë.
Në këtë mënyrë, Laçi paguan me rënie fazën e katërt, ndërsa Skënderbeu, ironikisht, eci me hapa më të mëdhenj se tri skuadrat e para të kampionatit, por që nuk mjaftoi përballë hapave gjigantë të të rrezikuarve të tjerë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




