Fëmijët në festë para “Migjenit”, provat gjenerale të Festivalit mbushin sheshin me tinguj muzike
Në mbrëmjen e së enjtes, sheshi para Teatrit “Migjeni” në Shkodër u mbush me tinguj muzike, ngjyra dhe gëzim fëmijësh, teksa u zhvilluan provat gjenerale të Festivalit të 63-të të Këngës për Fëmijë.
Kori i fëmijëve të festivalit solli një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, duke sjellë në skenë energjinë e pastër dhe të gëzueshme që vetëm zëri i tyre mund të dhurojë.
Vetëm pak orë para nisjes së festivalit, që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH, provat finalizuese vijuan në sheshin para Teatrit “Migjeni”.
Artistët e vegjël, të mbështetur nga prindërit dhe stafi organizator kanë vijuar përgatitjet e nevojshme.
“Si çdo vit, por edhe këtë vit kemi një repertor goxha të mirë. Ndryshe nga vitet e tjera kemi 29 këngë. Kemi pasur një fluks të jashtëzakonshëm të kompozitorëve që marrin pjesë në garën për t’u kualifikuar, për të qenë pjesë e Festivalit,” tha dirigjenti Ermir Zoga.
“Kemi shumë postera të bukur, shumë reklamë. Do të fillojmë të bëhemi më aktivë edhe në rrjetet sociale, që t’i shihni dhe t’i pëlqeni,” u shpreh Jeta Alija, koordinatore e Festivalit të Fëmijëve.
Festivali i Këngës për Fëmijë në Shkodër është një traditë që vazhdon të përcjellë vlera muzikore dhe emocione të bukura brez pas brezi. Edhe këtë vit, ai vjen si një ngjarje që i jep jetë qytetit dhe përforcon rolin e artit në rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




