Festa e Abetares bashkon në Prizren nxënës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës
Të premten në qytetin historik të Prizrenit u mbajt manifestimi tradicional “Festa e Abetares”, që bashkoi nxënësit e klasave të para nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut.
Shqipëria u përfaqësua nga shkolla 9-vjeçare “Riza Spahiu”, Kukës. Drejtoresha e kësaj shkolle tha se kjo nuk është vetëm një festë abetareje, por edhe bashkim kombëtar.
“Është një festë që organizohet për të pesëmbëdhjetin vit radhazi. Për ne si shkolla ‘Riza Spahiu’ është hera e dytë që e përfaqësojmë Shqipërinë në këtë festë. Ishte më shumë se një festë: ishte një kujtim i bukur, një emocion i madh dhe një motivim për të ecur përpara me dashuri për librin,” u shpreh znj. Matilda Hoxha.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili në fjalën e tij theksoi se arsimi është e vetmja rrugë drejt suksesit.
“Abetarja është fillimi i çdo gjëje. Ne e dimë që arsimi është e vetmja rrugë dhe rritja e cilësisë së arsimit na hap shtigje dhe rrugë të reja,” tha z. Totaj.
Në këtë ngjarje ishin pjesë nxënës të shkollave të ndryshme nga hapësirat mbarëshqiptare.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




