Festa e Bukës së Re, Drithasi bashkon banorët dhe emigrantët në një festë tradicionale
Në fshatin Drithas të Bashkisë Maliq është organizuar “Festa e Bukës së Re”, një aktivitet që sjell në vëmendje traditën bujqësore dhe rëndësinë e tokës e të prodhimit vendas. Festa ka mbledhur banorë të zonës dhe emigrantë të rikthyer në vendlindje, duke krijuar një atmosferë bashkimi dhe kremtimi.
“Kjo festë është ndër vite ndoshta edhe para viteve ‘90 pavarësisht atëherë ishin ndërmarrje shtetërore sot janë fermerë nga më punëtorët që ka bashkia e Maliqit.
Edhe jemi mbledhur sot këtu për t’i uruar për bukën e re, për t’i uruar mbarësi dhe le të jetë ky vit, por dhe vitet e tjera me bollëk, me shëndet edhe plot të ardhura për familjet e tyre”, deklaroi Gëzim Topçiu, Kryetar i Bashkisë Maliq.
Pjesë e festës ishin edhe gatimet tradicionale të përgatitura nga amvisat e fshatit, me produkte të zonës dhe receta të trashëguara ndër breza. Festa është po ashtu një mundësi për të bashkuar banorët me emigrantët që kthehen në vendlindje gjatë sezonit.
“Është një festë e veçantë. Ka shumë vlera. Sidomos sepse në këtë muaj vijnë dhe emigrantët dhe të gjithë janë shumë të kënaqur. Kemi bërë byrek, kemi bërë lakrorë, kulaçin, bukën me qiqra, bënim bukën e misrit, e zienim me ujë të nxehtë, e linim pak, pastaj e piqnim”, tha një prej qytetareve.
“Festa e Bukës së Re” është kthyer në një moment për të vlerësuar traditën bujqësore të zonës dhe për të përcjellë te brezat e rinj lidhjen me tokën, punën dhe prodhimin vendas.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



