Festa e Reçit: homazhe, kujtesë dhe valle popullore në Malësinë e Madhe

Aktualitet | 1 vit më parë

Në memorialin historik të Reçit u zhvillua ceremonia përkujtimore kushtuar Luftës së Reçit, një prej betejave më të rëndësishme të vitit 1943 kundër forcave pushtuese.

Përfaqësues të institucioneve, qytetarë dhe familjarë të dëshmorëve vendosën kurora me lule në nderim të tyre.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, vlerësoi qëndresën si shembull të përjetshëm atdhedashurie.

“Lufta kundër fashizmit në rajonin tonë ishte ndër luftërat më të rëndësishme. Prandaj ne e kujtojmë me shumë respekt këtë luftë, bashkimin e malësorëve, shkodranëve, dukagjinasve dhe gjithë zonave. Ishte një luftë kundër pushtuesve. Edhe fëmijët tanë e duan Reçin, e kujtojnë luftën me shumë respekt dhe shpresoj që nipërit e mbesat tona ta kujtojnë e vlerësojnë atë,” tha kryebashkiaku Marinaj.

Deputeti i zgjedhur Bujar Rexha theksoi se kujtimi i sakrificës së dëshmorëve duhet të mbetet një busull për brezat e rinj.

“Lufta e Reçit ishte shumë e rëndësishme në historinë e luftës antifashiste nacionalçlirimitare, pasi është e para betejë në veriun e Shqipërisë ku u bashkuan së bashku populli i Reçit me ushtrinë nacionalçlirimtare, duke bërë të mundur zmbrapsjen e okupatorit fashist, i cili ishte shumë më i madh në numër. Falë këtyre betejave të vazhdueshme në gjithë Shqipërinë, Shqipëria e fitoi lirinë dhe pavarësinë me forcat e veta,” u shpreh z. Rexha.

Pas homazheve, atmosfera u kthye në një festë popullore me këngë e valle, ku banorët e zonës dhe të ftuarit shijuan traditat kulturore të Malësisë së Madhe, duke e lidhur përkujtimin historik me gëzimin e trashëgimisë së gjallë.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme