Festivali Evropian i Këngës – Holanda kërcënon të tërhiqet nga edicioni i 2026-ës nëse merr pjesë Izraeli
Holanda iu bashkua të premten listës në rritje të vendeve evropiane që kërcënojnë të tërhiqen nga festivali evropian i këngës Eurovision që mbahet vitin e ardhshëm në Vjenë të Austrisë. Transmetuesi publik holandez Avotros u shpreh në një deklaratë se “për shkak të vuajtjeve të rënda njerëzore që vijojnë në rripin e gazës, do të tërhiqet nga festivali nëse Izraeli merr pjesë në të”.
Avotros bëri me dije se së fundmi kishte mbajtur bisedime me Unionin Evropian të Transmetimit rreth pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e 2026-ës dhe ndër të tjera kishte shprehur shqetësimin edhe për minimin e rëndë të lirisë së shtypit, duke iu referuar, ndërhyrjes së qeverisë izraelite në edicionin e këtij viti çka e cilësoi si përdorim të eventit muzikor si mjet politik.
Së fundmi, qeveritë dhe transmetuesit e Islandës, Sllovenisë dhe Spanjës njoftuan se nuk do të marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli përfshihet në festival. Transmetuesi i Irlandës njoftoi të enjten se edhe ai do të bllokonte pjesëmarrjen e vendit të tij në festivalin e përvitshëm evropian të këngës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




