Festivali i 64-t i Këngës në RTSH – edhe 5 ditë kohë për artistët, afati për dorëzimin e këngëve mbyllet në 30 shtator
Kanë mbetur edhe pesë ditë deri në mbylljen e afatit për artistët që duan të marrin pjesë në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH.
Data e fundit për dorëzimin e materialeve muzikore është 30 shtatori dhe aplikimi bëhet vetëm përmes email-it zyrtar: [email protected].
Stafi drejtues i Festivalit ju kujton artistëve dhe krijuesve të sjellin vetëm krijime të reja dhe të papublikuara në asnjë formë tjetër. Në email çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:
- Këngën e plotë në formatin MP3;
- Orkestralen, bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;
- Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;
- Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;
- Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);
- Ditën e lindjes, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;
- Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet e tij në festivale, si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);
- Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;
- Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;
- Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me stafin e Festivalit.
Një element i veçantë i këtij edicioni është se këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale do të skualifikohen menjëherë.
Festivali i Këngës në RTSH, që prej dekadash mbetet skena më prestigjioze e muzikës shqiptare, i jep fituesit mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.
Gazetare: Katerina Kule
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




