Festivali i Filmit në Venecie, Werner Herzog fiton Luanin e Artë për karrierën

Dy tapete të kuqe, dy filma në natën e parë dhe Festivali i 82-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecie ka ngritur siparin.
Filmi “La Grazia” i Paolo Sorrentinos hapi eventin me protagonistët Toni Servillo dhe Ana Farzetti. Filmi i dytë ishte “Mother” i regjisores maqedonase Teona Strugar Mitevska, me protagoniste Noomi Rapace në rolin e Nënë Terezës së Kalkutës.
Ceremonia e hapjes së ngjarjes botërore të filmit u drejtua nga Emanuela Faeli, dhe gjatë mbrëmjes, Luani i Artë për karrierën iu dorëzua regjisorit gjerman Werner Herzog nga Francis Ford Coppola.
“Unë jam një ushtar i kinemasë dhe për mua kjo do të thotë këmbëngulje, guxim dhe ndjenjë detyre. Kjo është, në fund të fundit, ajo që më solli këtu. Faleminderit,” tha Herzog.
Sot, në ditën e dytë, tapetin e kuq do ta shkelë një dyshe hollivudiane: George Clooney dhe Emma Stone, por edhe yje të tjera të kinematografisë, me një program që përfshin tre filma: komedia e zezë “Bugonia”, “Jay Kelly” dhe “Orphan” i hungarezit László Nemes.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




