Festivali i Pranverës në RTSH, pas dy dekadash heshtjeje, kompeticioni që rriti breza artistësh nis përgatitjet intensive
Pas një mungese prej dy dekadash, Festivali i Pranverës në RTSH rikthehet me ritëm dhe përgatitje intensive, duke ringjallur një nga traditat më të dashura të muzikës shqiptare. Një event që dikur shënonte ardhjen e stinës së re, sot rikthehet për të sjellë edhe emocionet e dikurshme te publiku.
Skenaristi i festivalit, Genc Salihu, shprehet se çdo detaj është menduar me kujdes dhe tashmë gjithçka është gati për të mirëpritur 20 artistët që do të jenë pjesë e këtij edicioni të shumëpritur.
“Është e rëndësishme të thuhet se në këtë fazë nuk është thjesht një festival që po bëhet, ka një dimension të rëndësishëm historik sepse është rikthimi i një jo thjesht një festivali por një evenimenti kulturor që në sferën publike, sferën kulturore të shqiptarëve kishte një vend të veçantë. Janë pranuar këngët dhe po punohen. Këngët konkurruese ë kur i kam dëgjuar të them të drejtën ë ka pasur një reagim shumë pozitiv. Kemi konkurrencë shumë të fortë. Këngët janë shumë të mira, domethënë janë të dukshëm mbi mesatar dhe jam shumë i lumtur sepse fundja pavarësisht çdo gjëje ëh një spektakël formati të tillë muzika sidomos konkurrimi është ajo që e bën apo e ç ‘bën. Drejtorët artistikë Shpëtim Saraçi dhe Fred Kaçinari së bashku me orkestrën dhe bandën e RTSH-së janë duke punuar. Natyrisht ata janë një super makinë”, tha Skenaristi i festivalit, Genc Salihu.
Ndërkohë, bendi muzikor ka nisur provat intensive mbi partiturat e këngëve, dhe gjithçka tjetër pritet te intesifikohet në ditët në vijim duke i dhënë jetë tingujve.
“Gjatë muajit maj progresivisht do të shpalosim më shumë gjëra rreth spektaklit që do të bëjmë. Jam shumë, shumë i lumtur që më është dhënë rasti të jem autor i këtij edicioni”, tha ai.
Njëzet artistë do të ngjiten në skenë me interpretime live, duke sjellë një ndërthurje emocionesh, nostalgjie dhe risish artistike. Ky festival, që për shumëkënd mbetet një kujtim i artë i muzikës shqiptare, rikthehet më 6 dhe 7 qershor në sallën e Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit, i shoqëruar nga tingujt e Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe bandit muzikor.
Një rikthim që nuk është thjesht një event muzikor, por një rikthim i kujtesës, i emocioneve dhe i një pranvere që kishte munguar gjatë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




