Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, kineastët dhe publiku në një takim me kinemanë

Kulturë | 1 muaj më parë

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, në edicionin e tij të 14-të vijon aktivitetet me projeksione, takime me kineastë dhe një program të pasur filmash.

Nga filmat artistikë te dokumentarët dhe filmat e shkurtër, programi sjell në vëmendje autorë, histori dhe këndvështrime të ndryshme të kinematografisë shqiptare, në disa prej hapësirave të kryeqytetit.

Mes veprave të përfshira në program është edhe filmi “Xixëllonjat e Dimrit”, me regji dhe interpretim të regjisorit dhe aktorit të njohur Artur Gorishti.

Për Gorishtin, rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar është një moment i rëndësishëm për komunitetin e kinemasë dhe për vetë filmin shqiptar.

“Unë konkurroj me “Xixëllonjat e dimrit” dhe me dy filma të shkurtër gjithashtu, “Kurth” edhe “Frymë”. Por “Xixëllonjat e dimrit” ishte diçka më rrugë e gjatë e vështirë. Filmi është jo i lehtë për t’u treguar, sepse ka disa, është, si të thuash, një pastrim që do të bëjë njeriu nga dëmet që ka krijuar në jetë. Festivali është gjëja më e rëndësishme ku ne ballafaqohemi, në radhë të parë, me veten, se si jemi përballë spektatorit. Pse jo, shohim njëri-tjetrin, ku kemi arritjet, ku kemi mangësitë”, tha Gorishti.

Një tjetër emër i kinemasë shqiptare, Luli Bitri konkurron në edicionin e 14 te festivalit te filmit ne  4 filma ku interpreton si aktore dhe me dy filma ku është regjisore dhe skenariste.

“Katër filma shfaqen në festival. Tre filma janë prodhime shqiptare dhe njëri është bashkëprodhim shqiptar. Është regjisore greke. Bëhet fjalë për “Holibumin”. Jam shumë krenare se kam një rol shumë të mirë aty. Nuk është filmi në konkurrim. Për sa i përket filmave si skenariste dhe regjisore, janë dy filma të shkurtër. Janë ato tentativat e mia për të mësuar, për të qenë një skenariste dhe regjisore. Njëri prej tyre, “Pelikanët e zinj”, është në konkurrim. E quaj thjesht një proces rritjeje timin në një drejtim tjetër”, tha Bitri.

Por përtej konkurrimit dhe çmimeve, festivali synon të krijojë ura komunikimi mes kinematografisë shqiptare dhe publikut.  Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe brezit të ri, me synimin për ta afruar atë me botën e filmit dhe me industrinë kinematografike.

Pas një periudhe mungese, rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar është më shumë se një kalendar projektesh. Është rikthimi i një hapësire ku filmi shqiptar shihet, diskutohet dhe vlerësohet.

Mbrëmjen e së shtunës, Festivali do të ulë siparin me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku do të vlerësohen filmat dhe figurat më të spikatura të këtij edicioni.

Për këtë edicion, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) është partneri mediatik i ngjarjes.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme