Fier, dënohen me nga 25 vite burg dy persona për tentativë vrasjeje

Aktualitet | 8 muaj më parë

Gjykata e Fierit, me kërkesë të Prokurorisë, ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me nga 25 vite burgim shtetasit L. H. dhe M. M., për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.

Sipas Gjykatës, hetimet provuan se L. H., me qëllim hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, kishte bashkëpunuar me M. M., duke porositur eliminimin fizik të shtetasit M. H.

Ngjarja ndodhi më 30 mars 2023, në fshatin Garunjë të Lushnjës, ku M. M. qëlloi 11 herë drejt automjetit të shënjestrës. Si pasojë e sulmit mbeti e plagosur pasagjerja B. S., ndërsa M. H. arriti të largohej duke shpëtuar.

Njoftimi i plotë:

Me kërkesë të Prokurorisë Fier, dënohen me 25 vite burgim secili shtetasit L.H. dhe M.M. për ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ e mbetur në tentativë

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 25 vite burgim, shtetasit L.H. dhe M.M. për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’ në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79, gërma ‘ë’, 25 dhe 22 të Kodit Penal dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimit dhe gjykimit mbi procedimin penal nr. 150/2023, me të pandehur shtetasit L. H. dhe M.M. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Fier arriti të provojë se i pandehuri L.H., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij R.H., ka bashkëpunuar me të pandehurin M.M., të cilit i ka porositur eleminimin fizik të shtetasit M.H. Në datë 30.03.2023, rreth orës 16.00, në vendin e quajtur “Pisha”, fshati Garunjë, Lushnjë, i pandehuri M.M., pasi është informuar mbi targën e automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi R.H., ka siguruar armën e zjarrit e ka përgatitur vendin nga do shtinte, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të këtij mjeti. Si pasojë e sulmit ka mbetur e plagosur shtetasja B.S., pasagjere në vendin e parë të mjetit. Shtetasi M.H., shënjestra e sulmit, ka kuptuar sulmin dhe ka shtuar shpejtësinë duke bërë të mundur largimin e mjetit.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme