Fier- Krim brenda familjes, vajza vret babain duke e mbytur me tel, nëna dyshohet si bashkëpunëtore në fshehjen e ngjarjes

Kronikë | 1 vit më parë

Një krim tronditës në familje është zbardhur në fshatin Frashër të Fierit, ku një vajzë 26-vjeçare ka vrarë babanë e saj, duke tentuar më pas të inskenojë ngjarjen si aksidentale.

Si rezultat i hetimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, operacioni i koduar “Inskenimi” çoi në arrestimin e autore së dyshuar dhe shoqërimin e nënës së saj.

Ngjarja u raportua nga vetë shtetasja Emanilda Rama, 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23 korrik 2025, e cila njoftoi Policinë se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht në banesën e tyre.

“Megjithatë, shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe veprimeve të para hetimore, krijuan dyshime të forta se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale.”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

Hetimet e thelluara, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, zbuluan një të vërtetë tronditëse. Ka rezultuar se shtetasja Emanilda Rama, e ka vrarë babanë e saj, A. R., për motive të dobëta, duke e mbytur me tel (strangulim).

Sipas policisë, pas kryerjes së krimit, 26-vjeçarja dyshohet se, në bashkëpunim me nënën e saj, V. R., 53 vjeçe, (njëkohësisht bashkëshorte e viktimës), kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës.

“Ato kanë pastruar trupin e 56-vjeçarit me qëllim që të inskenojnë ngjarjen si aksidentale, përpara se E. R. të njoftonte Policinë.”, njofton policia.

Nëna e autores, 53-vjeçarja V. R., është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Aty po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast të rëndë. Policia ka njoftuar se në përfundim të këtyre veprimeve do të ketë një njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të saj.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij krimi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme