Fiorentina del hapur për Asllanin, Pioli e pranon që i pëlqen shumë

Itali | 1 vit më parë

Fiorentina nisi dje grumbullimin për sezonin e ri ndërsa trajneri i sapo emëruar i ekipit ishte i pari që doli përballë gazetarëve për të mbajtur konferencën për shtyp.

Pas eksperiencës së shkurtër në Arabi, Stefano Pioli është kthyer në Serie A, ku nuk do të harrohet kurrë me titullin e fituar me Milanin vetëm pak vite më parë.

Sa i përket aventurës së re trajneri italian pranon se rikthimin në Serie A në kohë kaq të shkurtër nuk e priste. “Kam krijuar eksperiencën e duhur për të kuptuar se në futboll ndodh gjithçka. Nuk mendoja kurrë se do të merrja një telefonatë nga Fiorentina, por kur erdhi nuk u mendova shumë për ta pranuar”, tha Pioli.

Mes pyetjeve të shumta teknikut iu kërkua një mendim rreth organikës. “Tani do të më duhet të punoj me bazën e mirë të lojtarëve që kam gjetur këtu. Duke kaluar ditët do të njihem edhe më në detaj me grupin e lojtarëve dhe vetëm në një moment të dytë do të mund të nxjerrim konkluzione dhe të shikojmë se ku na duhen përforcime”, arsyetoi Pioli.

Në këtë pikë trajnerit italian iu kërkua diçka më konkrete pasi u pyet nëse i pëlqente Asllani. “Sinner më pëlqen shumë… e përgëzoj për fitoren e Wimbledon dhe e ftoj që të vijë në ‘Viola Park’ për të na vizituar”, ishte përgjigja e trajerit italian, i cili forcoi edhe më shumë zërat e merkatos që flasin për një transferim të Kristjan Asllanit në Firence edhe pse shmangu që t’i referohej direkt duke përdorur emrin e tenistit të njohur.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme