Florjan Binaj, kandidat i pavarur për Tiranën: Kandidoj që fëmijët të rriten me kujtime, jo me ndërtime

Kandidati i pavarur për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, aktori dhe aktivisti Florjan Binaj, ka ndarë motivet e tij kryesore për garimin në zgjedhjet e pjesshme, duke u fokusuar në cilësinë e jetës dhe kujdesin ndaj brezit të ardhshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Binaj deklaroi se arsyeja e kandidimit lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e fëmijëve: “Po kandidoj për fëmijët tanë, për fëmijët tuaj, për këtë qytet. Që fëmijët tanë të rriten duke ndërtuar kujtime dhe jo duke parë ndërtime.”
Duke iu referuar sfidave personale, Binaj theksoi se jeton si çdo qytetar tjetër, në një pallat të vjetër dhe një apartament të vogël, por me dashuri.
Kandidati i pavarur argumentoi se aktivizmi i tij ka synuar gjithmonë të mbrojë ata që kanë nevojë, duke theksuar lidhjen mes ambientit urban dhe mirëqenies së banorëve:
“Një Tiranë e pashëndetshme nuk mund të prodhojë qytetarë të shëndetshëm.”
Binaj bëri thirrje për një ndryshim në qasjen e pushtetit lokal, duke deklaruar se në krye të bashkisë nuk duhet të jetë “një shërbëtor i partisë, por një shërbëtor i qytetarëve.”
Në përfundim, ai i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për ta kthyer Tiranën në një qytet më të jetueshëm, “qytetin që duam t’u lëmë fëmijëve tanë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




