Fluks pacientësh në spitalin e Kukësit për shkak të virozave dhe ndryshimeve të motit
Këto ditë me luhatje të ndjeshme të temperaturave dhe ndryshime drastike të kushteve të motit, në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit është shënuar një numër i konsiderueshëm qytetarësh që kanë kërkuar shërbim shëndetësor.
Emin Ferati, shef i urgjencës në spitalin rajonal të Kukësit u shpreh se, “Sipas raportimit të mjekut roje, bëhet e ditur se ka pasur fluks të shtuar tek urgjenca. Nga të rriturit janë vizituar rreth 76 persona, ndërsa tek fëmijët mbi 60. Ka edhe ngarkesa nëpër pavijone për shkak të virozave dhe komplikacioneve pulmonare, sidomos tek fëmijët.”
Pjesa më e madhe i nënshtrohen konsultave mjekësore dhe mjekimit ambulator, por ka edhe raste të shtrimeve në spital si pasojë e komplikacioneve që vijnë nga gripi dhe virozat e stinës.
“Nuk është se kemi shumë shtrime. Situata nuk është aq alarmante sa për ta theksuar.”
Mjekët këshillojnë përdorimin e sa më shumë lëngjeve dhe preparateve anti-inflamatore, duke theksuar se nuk duhet të përdoren antibiotikë për raste të tilla.
Ky fillim prilli ka ardhur me rënie të ndjeshme të temperaturave, të shoqëruara me reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, duke ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e rasteve të gripit dhe virozave të stinës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




