Fluturimet e “Airibus” rikthehen në normalitet, kompania përditësoi softuerët për mbi 5 mijë avionë
Mijëra avionë “Airbus” po kthehen gradualisht në shërbimin normal pasi u detyruan të qëndronin në tokë për disa orë për shkak të një paralajmërimi se rrezatimi diellor mund të ndërhyjë në kompjuterët e kontrollit të fluturimit.
Gjigandi i hapësirës ajrore, me seli në Francë, tha më herët se rreth 6 mijë avionë A320 ishin prekur nga problemi, ku shumica kërkonin një përditësim të shpejtë të softuerit, ndërsa në rreth 900 avionë më të vjetër duhej të zëvendësonin kompjuterët e tyre në bord.
Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, tha se përditësimet shkuan shumë mirë për më shumë se 5 mijë mjete ajrore. “Më pak se 100 avionë janë në pritje të përditësimit të softuerit”- bëri me dije ai, duke cituar kompaninë Airbus.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Guillaume Faury, kërkoi falje për “vonesat dhe sfidat logjistike” që nga e premtja, ndërsa siguroi se ekipet e tyre po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që përditësimet të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur.
Në Francë, “Air France” u përball me vonesa dhe anulime fluturimesh në aeroportin “Charles de Gaulle”. Në Britani të Madhe, aeroporti “Gatwick” raportoi disa probleme. Në SHBA, “American Airlines” tha se 340 nga avionët e saj ishin prekur, duke paralajmëruar për vonesa. Në Australi, “Jetstar” anuloi 90 fluturime dhe paralajmëroi se ndërprerjet do të vazhdonin gjatë fundjavës.
Problemi fillimisht u identifikua tek një avion “JetBlue”. Mjeti ajror pësoi një humbje të papritur të lartësisë gjatë një fluturimi në tetor, duke e detyruar të bëjë ulje emergjente, ndërsa 15 pasagjerë u plagosën. Pas atij incidenti hetimet zbuluan një defekt në softuerin që llogarit lartësinë e avionit, pasi në lartësi të mëdha, rrezatimi intensiv diellor mund të dëmtonte të dhënat e kompjuterit të fluturimit. Përveç avionëve A320, u prekën gjithashtu modelet A318, A319 dhe A321.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




