Fluturimi i parë Tiranë-Toronto, Rama: Një tjetër urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kanadasë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Kryeministri i vendit, Edi Rama, është sot i pranishëm në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë Tiranë–Toronto.

Ky hap i rëndësishëm pritet të lehtësojë udhëtimet transatlantike, të nxisë bashkëpunimin ekonomik dhe të forcojë diasporën shqiptare në Kanada.

Përurohet linja ajrore Shqipëri-Kanada/ Rama: Jemi afër objektivit të fluturimeve direkte edhe me SHBA-të

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e përurimit të linjës ajrore midis Shqipërisë dhe Kanadasë, theksoi se ky zhvillim është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e lidhjeve ajrore të vendit.

Ai u shpreh optimist edhe për një objektiv madhor: linjën direkte me Shtetet e Bashkuara.

“Objektivi ynë strategjik është që së shpejti të kemi edhe linjën tjetër direkte, atë me Shtetet e Bashkuara. Edhe në raport me këtë objektiv është bërë përparim dhe mund të them se jemi shumë afër finalizimit se sa çfarë mund të mendonim vetëm pak vite më parë,” deklaroi Rama.

Kryeministri vuri në dukje performancën e jashtëzakonshme të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili ka regjistruar rritje rekord të pasagjerëve.

“Të dhënat e aeroportit të Tiranës janë të jashtëzakonshme. Aeroporti i Tiranës mban vendin e parë prej disa vitesh në Evropë për rritjen e numrit të pasagjerëve. Mjafton shifra e ndryshuar e 9 viteve nga 2016 deri në 2025-n për të kuptuar se çfarë rritje marramendëse ka ndodhur me aeroportin e Tiranës,” tha ai.

Rama njoftoi gjithashtu një kapitull të ri të zhvillimit të aeroportit, të fokusuar te transformimi digjital dhe modernizimi.

“Së shpejti po këtu ne do të hapim një kapitull të ri të transformimit digjital të aeroportit dhe modernizimit të mëtejshëm të tij, kapitullin e portave digjitale, të cilat do të jenë porta ku do të hyhet pa asnjë lloj kontrolli,” tha Rama.

Sipas tij, portat digjitale do të funksionojnë duke përdorur inteligjencën artificiale, duke e bërë procesin shumë më të thjeshtë e të shpejtë, veçanërisht për shqiptarët.

“Nëse je shqiptar dhe nëse ke një pasaportë biometrike shqiptare, kjo do të bëjë që për të gjithë pasagjerët shqiptarë që hyjnë në aeroportin e Rinasit të jetë një hyrje si në shtëpinë e tyre dhe i gjithë informacioni do të merret përmes inteligjencës artificiale që do të ketë kjo portë. Ideja është që të fillojë me pasagjerët vendas dhe menjëherë të fillojë me pasagjerët e huaj”, nënvizoi më tej kryeministri Rama.

Fluturimi inaugurues nga TIA realizohet sot më 19 qershor, ndërsa operimet do të vijojnë gjatë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.

Linja e re ajrore i përgjigjet kërkesave në rritje për fluturime direkte jo vetëm mes Shqipërisë, por edhe vendeve të rajonit dhe Kanadasë, ndërsa vlerësohet se rreth 60 mijë pasagjerë në vit lëvizin në këtë drejtim, kryesisht për turizëm, vizita familjare dhe për nevojat e komuniteteve të diasporës.

Inaugurimi i linjës Toronto–Tiranë, Karakaçi: Një kapitull i ri për aviacionin shqiptar dhe mundësi të reja për turizmin e biznesin

Në ceremoninë e inaugurimit të fluturimit të parë direkt Kanada–Shqipëri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik për vendin dhe një mundësi të re për zhvillimin e aviacionit civil dhe ekonomisë shqiptare. 

“Jemi mbledhur sot në këtë ceremoni jo thjesht për mbërritjen e një avioni në fakt, por për hapjen e një mundësie të re për Shqipërinë. Për herë të parë në historinë e aviacionit civil shqiptar, një fluturim direkt lidh Kanadanë me Shqipërinë, duke krijuar një urë të re mes dy vendeve tona, mes njerëzve tanë, familjeve, bizneseve dhe kulturave tona,” – u shpreh Karakaçi. 

Ai theksoi se kjo arritje nuk është rezultat i rastësisë, por produkt i një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe kanadeze, i një pune intensive diplomatike dhe teknike, si dhe i besimit që industria ndërkombëtare e aviacionit ka tek Shqipëria.

Ministri kujtoi se interesi i kompanisë Air Transat për të operuar fluturime direkte në Shqipëri u pa menjëherë si një mundësi strategjike, ndaj institucionet shqiptare u angazhuan me prioritet për të negociuar dhe finalizuar Marrëveshjen e Transportit Ajror mes dy shteteve. 

Karakaçi falënderoi Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Autoritetin e Aviacionit Civil, partnerët kanadezë dhe ekspertët që punuan me përkushtim për ta bërë të mundur këtë arritje.

“Sot kemi dëshmuar se kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi, pengesat burokratike mund të tejkalohen dhe interesat qytetare mund të vendosen në plan të parë,” – tha ai. 

Ministri nënvizoi rëndësinë e veçantë që kjo linjë ka për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada, duke i cilësuar ata si ambasadorët më të mirë të vendit.

“Ata janë një komunitet i integruar dhe i respektuar, që ka ruajtur lidhjet e forta me Shqipërinë. Edhe sot pamë që pjesa më e madhe e pasagjerëve në avion ishin shqiptarë, duke treguar lidhjen e pashmangshme me shtetin e tyre,” – shtoi Karakaçi. 

Por sipas tij, ndikimi i kësaj linje shkon përtej diasporës, pasi hap një treg të ri për turizmin shqiptar, sjell vizitorë nga një prej vendeve më të zhvilluara të botës dhe krijon mundësi të reja për biznesin dhe investimet.

Ai e konsideroi këtë zhvillim si tregues të transformimit të jashtëzakonshëm që ka përjetuar aviacioni shqiptar vitet e fundit, ku numri i pasagjerëve është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë dhe lidhjet ajrore janë zgjeruar ndjeshëm. 

“Ndërsa shohim drejt së ardhmes, vizioni ynë është i qartë: më shumë lidhje, më shumë mundësi dhe një aviacion që mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Linja Toronto–Tiranë është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjeruar rrjetin e destinacioneve, për të rritur kapacitetet infrastrukturore dhe për të siguruar që Shqipëria të mbetet një histori suksesi në aviacionin evropian,” – përfundoi Karakaçi. 

Në fund ai shtoi se, ky fluturim i parë transatlantik shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë, duke forcuar diasporën shqiptare, duke hapur perspektiva të reja për turizmin dhe duke konsoliduar rolin e Shqipërisë në hartën e aviacionit modern evropian. 

Inaugurimi i linjës Tiranë–Toronto, Gonxhja: Një moment historik për turizmin shqiptar

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë inauguruese të linjës së parë ajrore Tiranë–Toronto, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë moment si historik jo vetëm për aviacionin civil, por edhe për turizmin shqiptar.

Ai theksoi se ndërlidhja është kryefjala e zhvillimit të turizmit dhe se ulja e avionit të parë direkt nga Kanadaja në Tiranë hap një rrugë të re lidhëse mes Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut.

Sipas tij, kjo linjë ndërkontinentale përfaqëson një hap të madh në strategjinë e qeverisë për ta bërë Shqipërinë gjithnjë e më të aksesueshme dhe të integruar në tregjet globale.

“Ndërlidhja është kryefjala e zhvillimit të turizmit. Ulja e avionit të parë direkt nga Kanadaja në Tiranë është hapja e një rruge të re lidhëse mes Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut. Kjo linjë ndërkontinentale përfaqëson një hap të madh në strategjinë tonë për ta bërë Shqipërinë gjithnjë e më të aksesueshme,” – u shpreh Gonxhja. 

Ministri Gonxhja nënvizoi se konnektiviteti është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të turizmit dhe një faktor vendimtar për rritjen ekonomike.

“Sa më shumë lidhje direkte të krijohen me tregjet ndërkombëtare, aq më shumë mundësi hapen për turistët, bizneset dhe investimet. Ai kujtoi se viti 2025 ishte një nga më të rëndësishmit për turizmin shqiptar, me rreth 12.4 milion vizitorë dhe një kontribut prej 24% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Rezultatet e muajve të parë të vitit 2026, sipas tij, konfirmojnë këtë tendencë pozitive, duke treguar se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë brezin e turistëve dhe investitorëve të huaj.”

gjithashtu Gonxhja shtoi se objektivi nuk është vetëm rritja e numrit të turistëve, por edhe zgjerimi i kapaciteteve akomoduese, duke u fokusuar tek udhëtarët nga tregjet e largëta që qëndrojnë më gjatë dhe sjellin më shumë përfitime ekonomike.

 “Turizmi po dëshmohet çdo ditë e më shumë si motor i zhvillimit,” – përfundoi ai.

Farabi: TIA mirëpret turistë nga e gjithë bota, 300 milionë euro investime

Në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë transatlantik Tiranë–Toronto, Drejtori Operativ i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Piervittorio Farabi, e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik për aeroportin dhe për sektorin e aviacionit në rajon. Ai theksoi se kjo lidhje ajrore ka qenë një ëndërr e kahershme për Shqipërinë, e cila sot u bë realitet pas një pune të gjatë dhe përkushtimi të vazhdueshëm. 

“Ky është fluturimi i parë transatlantik, një lidhje që ka qenë një ëndërr për këtë vend për vite me radhë. Kanë qenë vite pune për ta kthyer këtë aspiratë në realitet,” – u shpreh Farabi. 

Sipas tij, ky zhvillim përfaqëson kulmimin e investimeve të mëdha në infrastrukturë, kapacitete operacionale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ai nënvizoi se ndërlidhja ajrore sjell zhvillim ekonomik dhe social, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka punuar vazhdimisht për të zgjeruar lidhjet e Shqipërisë me botën. 

“Mirëpritja e operacioneve të mëdha kërkon vizion, përkushtim dhe investime të rëndësishme. Ne kemi investuar 300 milionë euro në transformimin e aeroportit të Tiranës, për ta sjellë atë në përputhje me standardet e aviacionit modern,” – deklaroi Farabi. 

Ai shtoi se këto investime kanë dhënë rezultate konkrete, duke tërhequr kompani të reja ajrore dhe duke ulur kostot e udhëtimit për qytetarët. Farabi theksoi gjithashtu se aeroporti mirëpret turistë nga e gjithë bota dhe se zgjerimi i destinacioneve krijon mundësi të reja për promovimin e kulturës, mikpritjes dhe bukurive natyrore të Shqipërisë. 

Duke iu referuar fluturimit të ri drejt Kanadasë, Farabi e konsideroi këtë linjë të veçantë për shkak të diasporës shqiptare: 

“Nuk është rastësi që sot po hapet kjo rrugë drejt Kanadasë. Ky nuk është vetëm një destinacion turistik, por edhe një vend ku jeton një komunitet i madh i diasporës shqiptare,” – përfundoi ai. 

Ky zhvillim shënon një hap të madh për aviacionin shqiptar, duke forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe duke hapur perspektiva të reja për turizmin dhe ekonominë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme