“Foltore 2”, Berisha nga Elbasani: Përgatituni për revoltat më të fuqishme, zgjedhjet e 11 majit u vodhën nga makineria shtetërore dhe bandat

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet politike gjatë një takimi të zhvilluar në Elbasan, ku ka bërë thirrje për mosbindje civile dhe protesta masive.
Duke e cilësuar procesin e 11 majit si një “farsë elektorale”, Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për vjedhje të votave përmes përdorimit të administratës, parave të buxhetit dhe krimit të organizuar.
Në fjalën e tij, lideri demokrat kërkoi mobilizim të strukturave dhe qytetarëve për atë që e quajti “betejë pa kthim” deri në rrëzimin e qeverisë.
“I bëj thirrje qytetarëve që të përgatiten për revoltat më të fuqishme që ka njohur vendi. Ne do të nisim një betejë që nuk do të ndalemi më deri në përmbysjen e këtij regjimi,” deklaroi Berisha, duke theksuar se pavarësisht lodhjes apo pakënaqësive, opozita mbetet e pamposhtur.
Berisha renditi një sërë faktorësh që, sipas tij, e bënë të pamundur garën e barabartë, duke theksuar se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Ai denoncoi përdorimin e aseteve publike dhe taksave të qytetarëve për blerjen e votës:
“Bonuset elektorale ishin shpërndarja e 100 eurove për 760 mijë pensionistë në mes të fushatës dhe falja e gjobave e kamatave në vlerën e pretenduar prej 2 miliardë eurosh për bizneset pak ditë para votimit. Organizimi i mbi 4500 aktiviteteve “promocionale” gjatë periudhës së ndaluar me ligj, përfshirë shpenzimin e 7 milionë eurove për “Giro D’Italia” ditën e votimit.”, tha Berisha.
Berisha akuzoi Ramën se burgosi liderët e opozitës në vitin elektoral pa akuzë, duke e futur opozitën në garë “të dekapituar”.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Berisha ia kushtoi ndikimit të krimit në zgjedhje. Ai pretendoi se “qeveria licencoi mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis për të gjeneruar para për fushatë dhe përmendi emra konkretë të grupeve kriminale në qarqet kryesore të vendit”.
“A mund të quhen zgjedhje ndërsimi i karteleve të drogës; në Durrës Troplinët, në Elbasan Çelët, në Shkodër Bajrët, me miliardat e tyre?” tha Berisha.
Kreu i PD mbylli fjalën e tij duke theksuar se pavarësisht goditjeve dhe përpjekjeve për t’i marrë emrin dhe flamurin partisë, demokratët ia dolën të bashkohen dhe të mbijetojnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



