“Forbes” vlerëson Tiranën, kryeqyteti shqiptar renditet i pari në Evropë për turizmin e përballueshëm në shtator

Shqipëria vijon të mbetet në qendër të vëmendjes së medieve më prestigjioze ndërkombëtare për potencialin e saj turistik dhe çmimet mjaft konkurruese. Në një shkrim të veçantë të gazetares Rebecca Ann Hughes, të publikuar në edicionin argjentinas të revistës prestigjioze Forbes, Tirana është vlerësuar si destinacioni më i përballueshëm në Evropë për t’u vizituar gjatë muajit shtator.
Vlerësimi bazohet në një studim të kryer nga agjencia britanike e udhëtimeve Thomas Cook, e cila analizoi 13 qytete evropiane ku buxheti ditor për një person – përfshirë vizitat turistike, ushqimin, pije freskuese, transportin lokal dhe akomodimin në një hotel të nivelit të mesëm – mbetet nën kufirin prej 100 eurosh ($116) në ditë.
Sipas artikullit, ndërsa tendenca e udhëtimeve në sezonin e shkurtër po lulëzon për shkak të motit më të freskët dhe shmangies së turmave masive, mjaft destinacione po bëhen më të shtrenjta. Megjithatë, Tirana diferencohet dukshëm duke kryesuar listën me një kosto mesatare ditore prej vetëm 59 € ($68) për këtë shtator.
Kostot mesatare të udhëtimit në Tiranë sipas studimit:
| Shërbimi / Produkti | Kostoja mesatare (€) | Kostoja mesatare ($) |
| Akomodimi me 3 yje (për person / natë) | 32.00 € | $37.00 |
| Darka në një restorant ekonomik | 8.50 € | $9.86 |
| Bileta e hyrjes në atraksione kulturore | 4.50 € | $5.22 |
| Një kafe | 1.99 € | $2.30 |
| Një birrë lokale | 1.50 € | $1.74 |
Shkrimi i Forbes vë në dukje se, përveç leverdisë ekonomike, kryeqyteti shqiptar krenohet me një arkitekturë të veçantë, kulturë të pasur kafenesh, si dhe lehtësi qasjeje drejt bregdetit, parqeve kombëtare dhe liqeneve.
Artikulli veçon në mënyrë të veçantë lagjen e Bllokut – dikur e izoluar dhe e rezervuar vetëm për elitën e regjimit komunist – e cila sot është shndërruar në zonën më në modë të kryeqytetit, e mbushur me tarraca kafenesh, bare bashkëkohore dhe butiqe të pavarura.
Ndonëse Shqipëria konsiderohet si një nga tregjet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, Forbes nënvizon se ajo mbetet ende një e fshehur në krahasim me gjigantët e turizmit si Italia apo Spanja, duke u ofruar vizitorëve të huaj një përvojë më të qetë, autentike dhe me leverdi të lartë financiare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




