Forcat e Armatosura do të ofrojnë dronë për të mbikëqyrur dhe monitoruar kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale

Aktualitet | 1 vit më parë

Qeveria ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në vendimin, lidhur me përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) nga Forcat e Armatosura në mbështetje të institucioneve shtetërore.

Këto ndryshime zgjerojnë gamën e subjekteve që mund të përfitojnë nga ky shërbim, duke përfshirë tani edhe subjektet tregtare me kapital shtetëror.

Ky shërbim për subjektet tregtare do të ofrohet kundrejt një tarife, e cila do të përcaktohet me urdhër të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave.

Gjithashtu, janë shtuar dy fusha të reja veprimtarie ku mund të përdoren dronët:

  1. Mbikëqyrja, monitorimi dhe kontrolli i kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit, si dhe produkteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
  2. Mbikëqyrja dhe monitorimi i transportit dhe lëvizjes së mallrave që i nënshtrohen një regjimi të caktuar doganor.

Vendimi përfshin gjithashtu përfshirjen e ministrive përgjegjëse për financat dhe shëndetësinë në listën e institucioneve që mund të kërkojnë mbështetje nga Forcat e Armatosura me mjete ajrore pa pilot.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme