Forcimi i sigurisë kibernetike, Policia e Shtetit memorandum mirëkuptimi me Shoqatën Shqiptare të Bankave

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi me prioritet sigurinë kibernetike.
Memorandumi u nënshkrua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda dhe Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella. Akti është tregues i vullnetit të ndërsjellë të palëve, për të kontribuar me kuadër ligjor dhe ekspertizë teknike, te çështjet e përbashkëta të sigurisë kibernetike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda nënvizoi gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit, se bashkëpunime të tilla janë thelbësore për parandalimin e krimeve kibernetike, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe ndërtimin e një mjedisi të besueshëm digjital.
Ndërkaq, Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke u shprehur se siguria kibernetike është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë dhe kërkon bashkërendim institucional.
“Kjo marrëveshje forcon partneritetin ndërmjet sistemit bankar dhe institucioneve ligjzbatuese, duke krijuar një bazë solide për parandalimin e krimeve digjitale dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe të bizneseve”, tha Shella.
Ky Memorandum Mirëkuptimi i bashkon të dy institucionet në një partneritet afatgjatë, të bazuar në reciprocitet, konfidencialitet dhe respektim të legjislacionit në fuqi.
Ai synon të krijojë një mjedis bashkëpunues për t’u përballur më efektivisht me sfidat e epokës digjitale dhe për të ndërtuar një ekosistem financiar më të sigurt në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




