Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi- Balluku fton biznesin turk: Shqipëria me kuadër fiskal ndër më të favorshmit në Evropë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, mori pjesë sot në Forumin më të madh të Investimeve Shqipëri–Turqi 2025, që po zhvillohet në Tiranë.
Ky event i nivelit të lartë, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në bashkëpunim me MÜSİAD Albania, ka mbledhur në Pallatin e Kongreseve përfaqësues të lartë qeveritarë, sipërmarrës dhe investitorë nga të dy vendet, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të nxitur investimet e ndërsjella.
Në fjalën e saj, znj. Balluku i drejtoi një ftesë të hapur bizneseve turke për të investuar në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një treg dinamik me avantazhe të pakrahasueshme
Ajo vuri në dukje kuadrin fiskal ndër më të favorshmit në Evropë, përfitimet tatimore për sektorët prioritarë si turizmi, energjia, teknologjia, bujqësia dhe industria, si dhe lehtësitë për bizneset që operojnë në parqe teknologjike dhe shkencore.
Balluku e cilësoi Shqipërinë si një destinacion të hapur dhe mikpritës për investitorët turq, duke e konsideruar partneritetin mes dy vendeve të ndërtuar mbi besim dhe vizion të përbashkët për zhvillim rajonal.
“Besoj se këtu duhet të ndiheni si në shtëpinë tuaj dhe gjithmonë me vëllezërit tanë turq jemi krah për krah dhe gjithmonë kemi hapur dyert e shtëpive por dhe zemrave tona, por mbi të gjitha nuk i kemi paragjykuar kurrë zakonet, traditat dhe besimin e njëri-tjetrit.”
Ajo vijoi duke theksuar se “Ndaj sot ndihem më mirë se kudo, pasi ndihem në një bashkësi investitorësh, ku me shumë mjeshtëri AIDA dhe MÜSİAD Albania e nisën takimin me dy video të ngrohta. Ky samit ekonomik është jo vetëm një platformë për të diskutuar mbi investimet, por edhe një pasqyrë e gjallë e marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë ndërmjet vendeve tona.”
Znj. Balluku vuri në dukje se “Partneriteti mes Shqipërisë dhe Turqisë është ndërtuar mes besimit të ndërsjelltë dhe vizionit të përbashkët për zhvillim dhe stabilitet për rajonin. Sot jam këtu për t’i forcuar më tej këto ura bashkëpunimi, për të eksploruar mundësi të reja investimi dhe për t’i vënë një puls të ri marrëdhënieve tona ekonomike.”
Duke folur për potencialin e vendit, ajo tha se “Shqipëria ka një treg dinamik që sjell me vete avantazhe të pakrahasueshme për gjithë ata që investojnë paratë në këto 28 mijë kilometra katrorë. Ne jemi një vend i vogël me sipërfaqe, por i madh në mundësi.”
Ajo theksoi se Shqipëria, ndonëse me sipërfaqe të vogël, është e madhe në mundësi dhe ka një kuadër fiskal ndër më të favorshmit në Evropë.
Ajo shtoi se Shqipëria është një destinacion biznesi që ka hapur dyert që në fillim të viteve ’90 dhe se sot, më shumë se kurrë, është e gatshme të mirëpresë investitorët turq për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi dhe për të vendosur një puls të ri në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
“Shqipëria është një destinacion biznesi dhe bizneset turke këtë e kanë zbuluar që në rastin më të parë, kur vendi ynë hapi dyert në fillim të viteve ’90.
Balluku nënvizoi se investitorët e huaj, veçanërisht ata në sektorët e turizmit, energjisë, teknologjisë, bujqësisë dhe industrisë, përfitojnë nga përjashtime tatimore dhe lehtësira të tjera, duke përmendur konkretisht taksën 5% mbi fitimin për sektorin e IT-së dhe përjashtimin 15-vjeçar për bizneset që operojnë në parqe teknologjike apo shkencore.
“Shqipëria është një vend me një kuadër fiskal ndër më të favorshmit në Evropë. Me përfitime shtesë për të gjithë investitorët e huaj apo sektorë të rinj si turizmi, energjia, teknologjia, bujqësia dhe industria, ku aplikohen përjashtime nga taksat apo lehtësira të tjera tatimore. Në sektorin e IT-së, apo në prodhimin e softuerëve, Shqipëria aplikon 5% taksë mbi fitimin ose përjashtim 15-vjeçar nga taksat për bizneset e shtrira në parqet teknologjike apo ato shkencore. Në bujqësi dhe agroturizëm aplikohet 5% tatim të paktën deri në vitin 2029. Industria automotive përfiton 5% deri në fund të 2029.”
Në fund, Balluku u ndal te turizmi, duke e cilësuar si një sektor me potencial të lartë: “Turizmi është një sektor ku me shumë përpjekje ne po ecim në hapat që Turqia ka hedhur 20 vite përpara nesh, duke tërhequr markat elitare dhe duke inkurajuar brendet më të mëdha të botës.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




