Fotografitë që lidhin dy kohë, ekspozita ndërthur kujtesën dhe bashkëkohoren

Kulturë | 1 vit më parë

Mbrëmjen e 17 korrikut  u çel ekspozita e titulluar “Shot / Reverse Shot”, një rrëfim vizual që ndërthur kujtesën me bashkëkohoren, përmes një dialogu të pazakontë midis dy brezash dhe dy kohësh. Në qendër të saj janë fotografitë e rralla të Barry Lewis, të realizuara në Shqipërinë e viteve ’90 – një vend që ai e vizitoi jo për ndonjë projekt zyrtar, por i shtyrë nga kureshtja, idealizmi dhe dëshira për të parë nga afër një realitet të panjohur, për të cilin kishte vetëm lexime dhe imazhe të mjegullta.

Fotografitë e tij dokumentojnë një vend të izoluar, por njëkohësisht të mbushur me njerëz të thjeshtë e fisnikë, që ndanë me të gjithçka kishin, me një mikpritje e ndershmëri prekëse. Kjo përvojë u kthye më vonë në një studim të thellë antropologjik, ku imazhi shërben si dëshmi, reflektim dhe akt komunikimi.

“Këto zëra që i mblodhi, po them zëra sepse këto nuk janë vetëm fotografi, por vepra të thella që ai i shtegtoi nëpër botë dhe i ktheu tani në Shqipëri. Gjeneratat e lindura pas viteve ’90 kanë një retrospektivë të një pamje të prindërve të tyre që i kanë dëgjuar, por tani mund t’i shikojnë edhe vizualisht”.

Por ekspozita shkon edhe më tej, duke i vënë këto fotografi përballë me përgjigjet vizuale të artistëve shqiptarë të brezit të ri. Ata i qasen kësaj trashëgimie vizuale me ndjeshmëri dhe sy kritik, duke ndërtuar një bisedë të heshtur, por shumë të thellë, mbi identitetin, tranzicionin, kujtesën dhe mënyrën se si e shohim veten në pasqyrën e së kaluarës.

“Janë disa fotografi shumë domethënëse që na çojnë në vite e largëta, pro që flasin shumë. Është një punë e jashtëzakonshme e kuratorëve që e sollën autorin këtu”, tha fotografi Roland Tasho.

Nën kurimin e Elton Koritarit dhe Burim Myftiut, ekspozita merr formën e një dialogu që nuk kërkon të japë përgjigje të gatshme, por të nxisë pyetje, reflektim dhe ndjeshmëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme