Franca fiton Junior Eurovision 2025, Shqipëria renditet në vendin e 6-të

Sipari i “Junior Eurovision Song Contest 2025” ka rënë pas një mbrëmjeje elektrizuese, ku Franca është kurorëzuar fituese pas një gare dramatike deri në pikën e fundit me Ukrainën.
Fituesja e madhe e këtij edicioni është këngëtarja franceze Lou Deleuze me këngën “Ce Monde”. Ajo arriti të triumfojë në një përballje që u cilësua si “fotofinish” për shkak të diferencës së ngushtë dhe garës së fortë me përfaqësuesen e Ukrainës.
Përfaqësuesja e Shqipërisë, Kroni Pula, ka arritur një rezultat mjaft dinjitoz, duke e pozicionuar vendin tonë në vendin e 6-të mes 18 shteteve pjesëmarrëse. Me këngën “Fruta Perime”, Kroni dhuroi një performancë të shkëlqyer vokale dhe skenike, e cila u duartrokit gjatë në sallë, duke grumbulluar në total 145 pikë.
Harta e votave, Franca na vlerëson me 12 pikë
Votimi i këtij viti solli surpriza dhe mbështetje të gjerë për Shqipërinë. Një moment kulminant ishte vlerësimi maksimal nga vetë fituesi i festivalit; juria e Francës i dha Shqipërisë 12 pikë. Pikë të rëndësishme për Kroni Pulën erdhën gjithashtu nga juritë e:
• Ukrainës
• Holandës
• Polonisë
• Malit të Zi
• Portugalisë
• Spanjës
• Gjeorgjisë
Vota e publikut
Mbështetja për këngën shqiptare ishte masive edhe në votimin online. Nga votat e publikut që përfshinin votues nga 188 vende të ndryshme të botës, Shqipëria arriti të merrte plot 85 pikë, çka ishte vendimtare për t’u ngjitur në pjesën e sipërme të tabelës përfundimtare.
Ky rezultat konfirmon edhe një herë talentin e artistëve të rinj shqiptarë në skenat ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




