Franca në krizë politike, kryeministri Bayrou kërkon votëbesim për ligjin e buxhetit
Kryeministri i Francës, François Bayrou ka vendosur të kërkojë një votëbesim për qeverinë e tij më 8 shtator, para se të nisë debati për Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, që parashikon një shkurtim të madh të shpenzimeve, me synimin për të ulur deficitin me 44 miliardë euro. Duke mos pasur një shumicë të qartë në Asamblenë Kombëtare, Bayrou tha në konferencën për shtyp se ky votim do të jetë mbi përgjegjësinë e qeverisë dhe mbi domosdoshmërinë për të vënë nën kontroll financat publike. “Nëse nuk veprojmë tani, borxhi do të bëhet një rrezik i menjëhershëm për vendin tonë.” tha ai.
Prej javësh, Bayrou ka qenë nën presion për të ndryshuar disa nga masat e propozuara, ndërsa ministrat kanë zhvilluar negociata të vështira me partitë politike për të gjetur kompromis. Por dje, kryeministri ndryshoi papritur strategji, duke vendosur që fillimisht të kërkojë një votëbesim dhe më pas të diskutohet në detaje për masat konkrete të kursimit.
Në këtë situatë, fati i qeverisë varet nga Partia Socialiste, e cila ende nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar, por ka lënë të kuptohet se nuk e mbështet këtë votim. Bayrou paralajmëroi se nëse qeveria nuk merr votëbesimin, vendi do të futet në një krizë të re politike, që mund të çojë në zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, protestat kundër planit të kursimeve janë duke u organizuar në rrjete sociale nga e majta radikale dhe grupet anonime, ndërsa edhe sindikatat kanë njoftuar greva. Tregjet financiare kanë reaguar negativisht, duke rritur interesat e bonove franceze në nivelet më të larta që nga marsi, me një diferencë që po rritet ndjeshëm ndaj bonove gjermane.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




