Frensi Revania rikthehet në Fest 64 me “Tresh”, baladë për dashuri, tradhti apo diçka më shumë?

Televizion | 12 muaj më parë

Artistja Frensi Revania rikthehet në Fest 64. E ftuar në emisionin “Çasti i Duhur” nga Fjodora Fjora, Frensi tregoi për emocionet por edhe për këngën e saj “Tresh”, një kompozim i Iris Nezirit, si edhe teksti nga “Panda”.

Por kujt i dedikohet kjo baladë me detaje të huaja, a është një trekëndësh dashurie apo tradhtie? Frensi nuk zbuloi me tepër detaje, ndërsa ne presim me padurim të dëgjojmë këngën që të mund të zbulojmë më tepër.

“Jam entuziaste për këtë material muzikor, nuk mund të zbulojmë shumë detaje momentalisht, por di të them  që mezi pres që publiku ta shijojë këtë këngë, dhe Po ashtu jam entuziaste që do të performojë me Orkestrën Live, është emocion i papërshkrueshëm”, thekson këngëtarja.

Frensi Revania mori pjesë edhe vitin e kaluar në Festival, por edhe pse nuk kaloi në finale, kjo nuk e pengoi që të konkurroj sërish.

“Edhe pse vitin e kaluar nuk shkova në finale, u ndjeva mirë, publiku gjithashtu më priti mirë”, tregon Frensi.

Për herë të parë artistja e re tregon edhe momentin më të vështirë në jetën e saj, i cili ishte humbja e babait, gjë e cila jo vetëm e lëndoi emocionalisht, por e shkëputi nga muzika për gati 3 vite, pasi iu desh të rikthehej në Berat, qytetin e saj të lindjes. Frensi tregon se rikthimi nuk ishte fort i lehtë.

“Humbja e babait më lëndoi shumë, ai ka qenë artist, piktor, Altin Revania, pikturat e tij janë kudo nëpër Shqipëri.

Megjithatë, jeta vazhdon, dhe unë u riktheva pas disa kohësh, nuk ishte e lehtë, kontaktet, apo vendet ku duhet të këndoja live, por tani them se ia kam dalë, unë nuk kam frikë të rrezikoj, edhe në muzikë kam prekur disa rryma, por rroku mbetet për mua”, thotë Frensi.  

Më tej gjatë intervistës Revania tregon edhe planet për të ardhmen, aktualisht studente e skenografisë, artistja tregon se dita e saj është e ngarkuar, por dëshira për të ecur sa më lart i jep forcë.

“Shpresoj të eci sa më lart, mami dhe motra janë mbështetja ime më e madhe, mami krenohet me mua”, u shpreh artistja Frensi Revania.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme