FSHF miraton rregulloren e re të licencimit të klubeve dhe qëndrueshmërisë financiare

Futboll Vendi | 1 vit më parë

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar “Rregulloren e Licencimit të Klubeve dhe Qëndrueshmërisë Financiare” për pjesëmarrjen në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s (edicioni 2025).

Dokumenti, i hartuar nga Departamenti Ligjor dhe i Licencimit, përditëson kuadrin rregullator të futbollit shqiptar në përputhje me standardet e fundit të UEFA-s dhe synon forcimin e transparencës, profesionalizmit dhe efikasitetit në menaxhimin e klubeve.

Ndryshimet kryesore përfshijnë penalitete të reja për ndryshimet e formës ligjore të klubeve, shtimin e numrit të skuadrave për femra nga sezoni 2026–2027, kërkesa më të avancuara për licencimin e trajnerëve dhe drejtuesve teknikë, si dhe futjen e auditimeve të pajtueshmërisë financiare.

Kjo rregullore e re përbën një hap të rëndësishëm në procesin e modernizimit të futbollit shqiptar, duke garantuar standarde të larta qeverisjeje dhe zhvillimi në përputhje me politikat dhe vizionin e UEFA-s dhe FSHF-së.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF miraton mbështetjen për investimin e ri të FK Partizani

Komiteti Ekzekutiv i FSHF ka miratuar kërkesën e klubit FK Partizani për rimbursimin e shpenzimeve të kryera për arredimin e hotelit të ri në kompleksin sportiv të klubit.

Ky projekt është pjesë e zhvillimeve të rëndësishme infrastrukturore që po realizohen në futbollin shqiptar, duke rritur standardet e kushteve të punës dhe akomodimit për klubet.

FSHF vlerëson se ky investim përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm për modernizimin e infrastrukturës sportive, duke krijuar ambiente bashkëkohore dhe funksionale në shërbim të ekipeve.

Ky vendim konfirmon angazhimin e FSHF për të mbështetur projektet e klubeve shqiptare dhe për të ngritur më tej standardet e futbollit në vend.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme