Futsall/ Shqipëria fiton edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Turqisë

Kombëtarja e futsallit fitoi edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Turqisë me rezultatin 4-2. Kuqezinjtë triumfuan sërish me përmbysje në “Gazanfer Bilge Sports Hall”, falë golave të Arif Limanit, i cili realizoi dy herë, si edhe të Azem Brahimit dhe Artan Jonuzit.
Trajneri Erind Resuli e nisi takimin me këtë formacion titullar: Dzenis Berjasevic, Arbër Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu dhe Arif Limani.
Turqia kaloi e para në avantazh me golin e shënuar nga Edem Kus, por Arif Limani riktheu baraspeshën për Shqipërinë. Azem Brahimi i dha avantazhin kuqezinjve në pjesën e parë, ndërsa Turqia barazoi sërish me Hidri Canaslaner, duke mbyllur 2-2 fraksionin e parë të lojës.
Në pjesën e dytë, Kombëtarja shqiptare dominoi takimin dhe mori avantazhin me golin e dytë personal të Arif Limanit. Artan Jonuzi shënoi golin e katërt, duke vulosur fitoren 4-2 për Shqipërinë.
Dy ndeshjet miqësore ndaj Turqisë shërbyen si një test i rëndësishëm për Kombëtaren e Futsallit, në kuadër të përgatitjeve për turneun paraeliminator të Kupës së Botës 2028. Ky kompeticion do të nisë në muajin prill 2026, ndërsa Shqipëria është pjesë e Grupit E, së bashku me Letoninë, Qipron dhe San Marinon.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




