G7 mbështet Kievin dhe akuzon Rusinë si penguesja e vetme e paqes afatgjatë

Botë | 2 vite më parë

Anëtarët e G7-ës, grupit të shtatë shteteve më të industrializuara, e siguruan Ukrainën për “mbështetje të palëkundur”, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin e nisur nga Rusia, që po i afrohet ditës së 1.000.

Rusia “është penguesja e vetme e paqes së drejtë dhe afatgjatë”, thanë udhëheqësit e G7-ës përmes një deklarate të përbashkët më 16 nëntor. Ata thanë se shtetet e tyre do të mbështesin Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Deklarata u publikua nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shteti i së cilës udhëheq këtë vit me G7-ën.

Përveç Italisë, në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Japonia dhe Gjermania.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht ka nën kontroll afër një të pestën e territorit ukrainas.

Në deklaratën e G7-ës u përmend edhe vuajtjet e mëdha që ka përjetuar populli ukrainas, por po ashtu u tha se ata janë të vendosur që të mbrojnë shtetin dhe kulturën e tyre.

Më herët gjatë së shtunës presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij dëshiron që lufta të përfundojë përmes diplomacisë.

Sipas REL

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme