Gara për kreun e BKH-së, zhvillohet testi i aftësisë fizike për 7 kandidatët

Ka përfunduar këtë të enjte faza e dytë e përzgjedhjes për 7 kandidatët që aspirojnë të drejtojnë Byronë Kombëtare të Hetimit.
Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta iu nënshtruan testit të aftësive fizike që në orën 07:00 të mëngjesit në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht.
Ata u testuan në katër komponentë fizikë: numri maksimal i palosjeve për një minutë, sprinti 300 metra me kohë, numri maksimal i pompave pa kufizim kohe dhe vrapi 2,4 kilometra i matur me kohë.
Procesi u mbikëqyr nga anëtari i komisionit të posaçëm, prokurori Behar Dibra.
Për mbarëvajtjen dhe standardet e procesit ishin të pranishëm përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe profesorë të fizkulturës nga Universiteti i Sporteve, të cilët bënë vlerësimin e performancës fizike. Një ekip mjekësor monitoroi në vazhdimësi gjendjen e pjesëmarrësve gjatë testit.
Rezultatet e testit fizik pritet të dalin ditën e premte, ndërsa faza e tretë do të përfshijë esenë me shkrim dhe testin e arsyetimit logjik. Në vijim kandidatët do t’i nënshtrohen gjithashtu testit të poligrafit dhe intervistës finale.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



