Gatishmëri kombëtare për motin e keq, Balluku zhvillon takim me prefektët dhe kryetarët e bashkive për përballimin e situatës

Aktualitet | 12 muaj më parë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, zhvilloi sot një takim të zgjeruar me prefektët e qarqeve, kryetarët e bashkive dhe Agjencinë Kombëtare të Emergjencave Civile (AKEC), me fokus të plotë në masat e gatishmërisë për situatën e përkeqësuar të motit në ditët në vijim.

Gjatë takimit, u theksua se Veriu dhe Verilindja priten të jenë zonat më të goditura nga reshjet intensive, duke kërkuar bashkërendim maksimal të të gjitha forcave në terren.

Balluku informoi se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka marrë masa që prej 11 Nëntorit për të menaxhuar prurjet e larta. Sipas saj, KESH ka liruar volume uji në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës gjatë javës së fundit. Hidrocentrali i Fierzës është jashtë pune.

Megjithëse strukturat do të mundohen të mos i hapin portat e HEC-eve, zv.kryeministrja theksoi se kjo është “e detyrueshme” në rast se arrihet niveli më i lartë teknik i ujit. Rritja e prurjeve anësore në Lumin Bunë pritet të krijojë situatë problematike në zonën e Nënshkodrës.

Apeli tek bashkitë dhe situata në jug

Znj. Balluku kërkoi bashkërendim të saktë të forcave në terren dhe u bëri thirrje kryetarëve të bashkive të informojnë popullatën, pasi “një pjesë e dëmeve zakonisht mund të shpëtohet në rast se njerëzit do të marrin informacionin e duhur.”

Përsa i përket zonave të tjera në ultësirënperëndimore nuk parashikohen reshje të dendura, por situata varet nga prurjet e Lumin Vjosë, të cilat mund të sjellin situatë “jo të mira në Vlorë apo në Fier.”

Prurje të dendura priten edhe në zonën e Elbasanit dhe Rrogozhinës. Për menaxhimin e gjendjes, veç KESH-it, janë vënë në gatishmëri të lartë OSHEE, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe portet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme