Ghiti, trashëgimtarja e familjes Shllaku, debuton në Fest64: Kënga ime, thirrje për jetën

Kulturë | 11 muaj më parë

Marghreta Shllaku, ose Ghiti siç pëlqen të prezantohet në muzikë, debuton në Festivalin e Këngës në RTSH.

Në studion e emisionit “Në Radio” të Andri Xhahut, këngëtarja sjell historinë e krijimit të këngës “Okej” shkruar nga Beatriçe Gjergji e “Shkodrës Elektronike”. “Unë Beatriçen e kam njohur që kur kam qenë e vogël. Jemi ndjekur në Instagram. Gjithmonë më ka pëlqyer arti që ka bërë. Kemi shprehur pëlqimin ndaj njëra-tjetrës. I kam thënë që do kisha dashur të më bënte një këngë”, tregon Ghiti duke shtuar se kënga i pëlqeu aq shumë sa vendosi ta prezantonte në festival. 

Pas bisedave të gjata për të njohur më shumë botën e brendshme të Ghitit, kënga u krijua fillimisht në distancë. “Çdo gjë është krijuar online, më pas kur është bërë regjistrimi kam shkuar në studio me Beatriçen”.

Kënga është një pop-alternative, “por kur e dëgjon e kupton që nuk është vetëm një rrymë, por disa ndjenja të ndryshme”, sqaron këngëtarja, e cila zbulon se kënga flet për jetën e vërtetë që është ajo përtej telefonit. “Ne ndikohemi më shumë se ç’duhet nga telefoni, ndikohemi nga lajmet, por jeta e vërtetë është tjetër gjë. Është të zgjohesh në mëngjes e t’i vësh objektiva vetes, çfarë do bësh diçka për veten. Është një thirrje për njerëzit: Çohuni, dilni dhe dritën në fund të tunelit mund ta gjejë gjithkush”.

Në lidhje me bashkëpunimin me autoren e këngës, këngëtarja ka dy fjalë: “Beatriçe është njeri i mrekullueshëm. Është artiste në çdo kuptim, edhe si person edhe në artit që bën. Më ka bërë të ndihem si motra e saj”.

E pyetur për pritshmëritë nga pjesëmarrja në Fest64, ajo shprehet: “E them me gjithë shpirt, unë dal për eksperiencën time të parë, të përballem me emocionet e këtij festivali, të jap mesazhin e këngës, dhe ta shijoj. Më pas nuk e di çfarë vjen”.

Ghiti flet për emocionet e provës së parë me Orkestrën Simfonike të RTSH. “Është ndjesi tjetër, në studio çdo gjë është teknike, ndërsa në prova çdo gjë është origjinale, kimia me orkestrën dhe instrumentistët. Si provë e parë ka shkuar shumë mirë”.

Ghiti ka lindur në Shkodër dhe ka nisur të këndojë në një moshë fare të vogël. “Unë kam lindur në familje artistësh, gjyshi im ka qenë violinist, babi Gjon Shllaku është kompozitor dhe pianist, nëna ime Rozi Shllaku ka studiuar kanto lirike. Ka ardhur gjithçka natyrale. Kam kënduar qysh e vogël. Kur bënte babi live-t e veta, qysh kur isha 4-5 vjeçe unë këndoja”.

Ajo ka mësuar në liceun artisik “Prenkë Jakova” në Shkodër, ndërsa prej më shumë se tre vitesh jeton në Mantova të Italisë ku studion në konservatorin “Lucio Campiani” për kanto-jazz.

Kënga e saj e parë e publikuar edhe me videoklip titullohet “Te ne vai”, shkruar nga vetë ajo dhe i vëllai Antonio Shllaku.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme