Gjeneva mund të presë takimin Putin-Zelensky, Zvicra ofron imunitet për pjesëmarrje në konferencën e paqes

Zvicra do t’i japë “imunitet” presidentit rus Vladimir Putin, pavarësisht faktit se ai është paditur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, me kushtin që ai të shkojë “për një konferencë paqeje”, siguroi sot Ministri i Jashtëm zviceran.
Ministri Ignazio Cassis, konfirmoi këtë mëngjes se vendi i tij mund të organizojë takimin, duke u mbështetur tek roli i veçantë i Zvicrës dhe statusi i Gjenevës si selia evropiane e OKB-së.
Megjithatë, ekziston një pengesë madhore: si firmëtare e Statutit të Romës, Zvicra është e detyruar ligjërisht të arrestojë Putinin për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar.
Pas vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, Macron deklaroi se samiti duhet të mbahet në një “vend neutral, ndoshta në Zvicër, unë po mendoj për Gjenevën, ose në një tjetër shtet”, theksoi ai duke shtuar se “nuk është vetëm një hipotezë, por vullnet i përbashkët i liderëve.”
Cassis la të kuptohet se mund të gjendet një rrugëdalje përmes imunitetit të përkohshëm, me qëllim që të mundësohen bisedimet e paqes.
Samiti i mundshëm në Gjenevë shihet si një hap i madh diplomatik, nëse arrihet të realizohet, duke vendosur Zvicrën sërish në qendër të skenës ndërkombëtare si ndërmjetëse neutrale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




