Gjermania akuzon shtetasin danez si agjent të Iranit: Po planifikonte vrasjen e figurave hebraike

Europë | 5 muaj më parë

Gjermania ka akuzuar një agjent të dyshuar iranian për planifikimin e vrasjeve të figurave hebraike dhe një ish-deputeti pro-Izraelit.

Prokurorët gjermanë kanë ngritur akuzë kundër një shtetasi danez dhe një bashkëpunëtori të tij, të cilët dyshohen se punonin për shërbimin sekret iranian.

Ata akuzohen se kishin si detyrë të grumbullonin informacione për sulme kundër krerëve të komunitetit hebre në Gjermani.

I dyshuari kryesor, një shtetas danez i identifikuar si Ali S., u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Danimarkë.

Një bashkëpunëtor i tij, shtetasi afgan Tawab M., u arrestua në nëntor.

Prokurorët federalë gjermanë dorëzuan aktakuzën kundër tyre në Gjykatën e Hamburgut më 7 maj.

Ali S. akuzohet si agjent sekret për qëllime sabotazhi, si dhe për pjesëmarrje në tentativë vrasjeje dhe zjarrvënie.

Sipas prokurorëve, Ali S. punonte për shërbimin e informacionit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe kishte kontakte të ngushta me Forcën Quds.

Në fillim të vitit 2025 ai u ngarkua të mbledhë informacione për kryetarin e Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster, për kryetarin e Shoqatës Gjermano-Izraelite, ish-deputetin e njohur Volker Beck, si dhe për dy shitës ushqimesh hebre në Berlin.

“Të gjitha këto shërbenin për përgatitjen e sulmeve me vrasje dhe zjarrvënie në Gjermani”, thuhet në deklaratën e prokurorëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme