Gjermania drejt rikthimit të shërbimit ushtarak, CDU/CSU dhe SPD bien dakord për modelin me kontrolle mjekësore e llotari
Në Gjermani, partitë kryesore CDU/CSU dhe SPD kanë arritur një marrëveshje paraprake për rikthimin e shërbimit ushtarak, pas konsultimeve të gjata me ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Sipas televizionit ARD, takimi u zhvillua në Berlin dhe në të morën pjesë drejtuesit e grupeve parlamentare, si edhe ekspertë të mbrojtjes nga të dyja partitë.
Sipas mediave, modeli parashikon kontrolle mjekësore të detyrueshme për çdo vit për të rinjtë. Nëse nuk ka vullnetarë të mjaftueshëm për ushtrinë, do të përdoret një sistem llotarie për përzgjedhjen e rekrutëve.
Ky propozim ka marrë mbështetje të gjerë në radhët e koalicionit, pasi synon të sigurojë forca të mjaftueshme për Bundesëehr-in. Fillimisht, Pistorius kishte propozuar një sistem tërësisht vullnetar, por CDU/CSU kërkonte që rekrutimi të bëhej i detyrueshëm në mungesë të vullnetarëve.
Marrëveshja vjen në një moment të rritjes së tensioneve në Evropë dhe të kërcënimit që përfaqëson Rusia. Si pjesë e planit të ri, forcat gjermane pritet të shtohen deri në 260 mijë trupa aktive.
Gjithashtu do të ketë rreth 200 mijë rezervistë që do të përzgjidhen pjesërisht përmes këtij modeli të ri rekrutimi. Qeveria gjermane e sheh këtë si hap të domosdoshëm për të forcuar mbrojtjen kombëtare dhe për t’iu përshtatur strategjive të reja të NATO-s.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




