Gjermania gati t’i bashkohet Francës, Britanisë dhe Kanadasë për njohjen e Palestinës si shtet

Botë | 1 vit më parë

Gjermania duket se është drejt rrugës për t’iu bashkëngjit Kanadasë, Britanisë e Francës për njohjen e Palestinës si shtet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë shtator.

Ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul përsëriti qëndrimin e Gjermanisë se një zgjidhje e qëndrueshme për luftën në Gaza mund të arrihet vetëm përmes negociatave mes dy shteteve, atij palestines dhe izraelit, që jetojnë në paqe me njëri-tjetrin.

“Në dritën e kërcënimeve të hapura për aneksim nga pjesë të qeverisë izraelite, një numër gjithnjë e në rritje vendesh – përfshirë shumë në Evropë – tani janë të përgatitura të njohin një shtet palestinez edhe pa një proces paraprak negociatash. Prandaj, rajoni dhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme janë në një udhëkryq. Ky proces duhet të fillojë tani. Nëse ndërmerren hapa të njëanshëm, edhe Gjermania do të jetë e detyruar të përgjigjet”, tha ai.

Ministri lëshoi deklaratën përpara se të nisej për në Izrael dhe territoret palestineze, në një udhëtim që Berlini e ka cilësuar si një mision për mbledhjen e fakteve, mes alarmit të shtuar për urinë në Gaza.

Vërejtjet e tij shënuan paralajmërimin më të fortë të Gjermanisë deri më tani ndaj Izraelit, ndërsa vendet perëndimore intensifikojnë përpjekjet për të ushtruar presion.

Në javët e fundit, Britania, Kanadaja dhe Franca kanë sinjalizuar gatishmërinë e tyre për të njohur  Palestinën si shtet, në territorin e pushtuar nga Izraeli.

Megjithatë, kritikët argumentojnë se reagimi i Gjermanisë mbetet tepër i kujdesshëm, i formuar nga një ndjenjë e qëndrueshme faji historik për Holokaustin dhe i përforcuar nga ndjenjat pro-Izraelit në qarqet mediatike me ndikim, duke dobësuar aftësinë kolektive të Perëndimit për të ushtruar presion domethënës mbi Izraelin.

Koalicioni i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu përfshin dy parti të ekstremit të djathtë që bëjnë thirrje për pushtimin e plotë të Gazës dhe rivendosjen e vendbanimeve hebraike atje. Dy ministra të lartë të qeverisë shprehën gjithashtu mbështetje të enjten për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Numri i të vdekurve nga pothuajse dy vite luftë midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas në Gaza kaloi 60,000 këtë javë. Një numër në rritje i civilëve po vdesin nga uria dhe kequshqyerja, thonë autoritetet shëndetësore të Gazës, me imazhet e fëmijëve të uritur që tronditin botën dhe intensifikojnë kritikat ndaj Izraelit për kufizimet e ndihmës në enklavë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme