Gjermania përgatitet për luftë në 2029, sistemi shëndetësor në testim për 1.000 të plagosur në ditë

Botë | 1 vit më parë

Gjermania po përgatitet për një skenar lufte që mund të ndodhë deri në vitin 2029, kur NATO dhe Berlini besojnë se Rusia mund të sulmojë një vend tjetër anëtar.

Zyrtarët e lartë gjermanë nënvizojnë rëndësinë e përgatitjeve, pavarësisht premtimeve të Moskës për paqe. Kryekirurgu Ralf Hoffman tha për “Reuters” se Gjermania duhet të jetë në gjendje të trajtojë deri në 1.000 ushtarë të plagosur çdo ditë në rast lufte. Ai thekson se natyra e luftës ka ndryshuar shumë, me shumicën e plagëve që shkaktohen nga sulmet me dronë.

Ekspertët parashikojnë se dronët dhe inteligjenca artificiale do të luajnë një rol kyç në konfliktet e ardhshme.

Forcat e armatosura gjermane po përgatiten për transportin e shpejtë dhe fleksibël të të plagosurve, madje edhe me tren apo autobus, siç ndodh tashmë në Ukrainë. Hoffman thekson se spitalet duhet të kenë të paktën 15.000 shtretër të gatshëm për pacientë.

Një sondazh i programit “Panorama” tregon se shumë spitale gjermane nuk janë ende të përgatitura për një situatë lufte. Shumë prej tyre nuk e dinë rolin që do të kenë në një krizë të tillë. Një spital nga veriu i Gjermanisë kërkon udhëzime kombëtare për përgatitjen në rast sulmesh ose trajtimi i të plagosurve.

Sondazhi zbulon gjithashtu se vetëm 20% e spitaleve planifikojnë të përmirësojnë infrastrukturën për sigurinë në vitet e ardhshme. Për më keq, shumë spitale nuk kanë plan për furnizimin me ujë në situata emergjente, ndërsa 18% nuk do të mund të funksionojnë më shumë se një javë pa energji elektrike.

Këto shqetësime tregojnë sfidat serioze që përballen spitalet gjermane në përgatitjen për një krizë të mundshme ushtarake.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme