GJKKO dënon Denis Xholin me burg për shkelje në tendera publikë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin për çështjen penale ndaj shtetasit Denis Xholi, i cili akuzohej për korrupsion në prokurimet publike.
Në përfundim të gjykimit të zhvilluar me rregullat e zakonshme, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca, vendosi dënim me burg dhe heqje të së drejtës për funksione publike
Denis Xholi u deklarua fajtor për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim.
Gjithashtu, në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, gjykata i hoqi të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Vuajtja e dënimit për Xholin do të kryhet në një nga institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Akuzat nga SPAK
Çështja penale ndaj Xholit, e cila i përkiste procedimit penal vitit 2022, ishte ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Akuza specifike lidhej me manipulimin e procedurave të prokurimit publik, duke shkelur parimin e barazisë ndërmjet pjesëmarrësve.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme është i apelueshëm. Sipas njoftimit, kundër këtij vendimi lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar.
Xholi i dënuar edhe për korrupsion në zgjedhje
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) e ka dënuar Xholin edhe për çështjen e bujshme të dyshimeve për korrupsion gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 në Dibër. Gjykata dënoi me nga 1 vit burgim shtetasit Denis Xholi dhe Albjon Çeku.
Dy të pandehurit u arrestuan më 22 prill të vitit 2021 në Dibër, pasi u kapën me shuma monetare dhe materiale që dyshoheshin se shërbenin për blerje votash. Arrestimi i tyre erdhi pas një përplasjeje në qytetin e Dibrës, ku Xholi dhe Çeku u kapën nga kandidati i Partisë Demokratike, Luan Haka, dhe mbështetës të PD-së.
Policia konfirmoi asokohe se në automjetin e tyre u sekuestrua “një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik”.
Menjëherë pas ngjarjes, Drejtuesi Politik i PD në Dibër, Xhelal Mziu, pretendoi publikisht se paratë po shpërndaheshin për të siguruar vota për kandidatin e Partisë Socialiste, Melaim Damzi, pretendim ky që u përgënjeshtrua nga Shtabi Elektoral i PS Dibër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




