GJKKO dënon me 8 muaj burg Erida Lazimin për ushtrim ndikimi të paligjshëm

Aktualitet | 6 muaj më parë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtore Erida Lazimin për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të çështjes me rregullat e gjykimit të shkurtuar, sipas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Engjëllushe Tahiri dhe Marinela Osmani vendosi dënimin e saj me 1 vit burgim.

Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit iu ul me një të tretën, duke e çuar përfundimisht në 8 muaj burgim.

Gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 16-mujore.

Gjatë kësaj kohe, Lazimi duhet të mbajë kontakte të rregullta me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale. 

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet proceduriale të hetimit paraprak, në vlerën 44,207 lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore, t’i ngarkohen të pandehurës në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë të të njëjtit proces penal. 

Sipas njoftimit, kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. 

Ky vendim shënon një tjetër rast ku GJKKO ka aplikuar gjykimin e shkurtuar, duke kombinuar dënimin penal me masa alternative si shërbimi i provës, në kuadër të luftës kundër ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme