GJKKO lë në burg Jozi Krajën, akuzohet për krim të organizuar dhe planifikim vrasjeje

Aktualitet | 9 muaj më parë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të enjte të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për të pandehurin Jozi Kraja, i cili përballet me akuza të rënda, përfshirë atë të sigurimit të kushteve për vrasje.

Në seancën e zhvilluar sot, më 29 janar 2026, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë.

Sipas njoftimit për shtyp, pas shqyrtimit të provave dhe argumenteve, gjykata vendosi të vazhdojë zbatimin e masës shtrënguese të caktuar fillimisht në maj të vitit 2024.

Akuzat e rënda

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, Jozi Kraja akuzohet për vepra penale të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Konkretisht, ai dyshohet për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Në shënjestër të këtij plani kriminal dyshohet se kanë qenë shtetasit me iniciale D.B dhe V.B. Prokuroria thekson se këto veprime janë kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, duke rënduar pozitën e të pandehurit.

Përveç planifikimit të vrasjes, Kraja akuzohet edhe për “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Vendimi

Gjykata urdhëroi Policinë Gjyqësore që i pandehuri të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, ku do të qëndrojë në dispozicion të organit procedues deri në përfundim të hetimeve apo gjykimit të themelit.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 5 ditëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme